Vrasja e nxënësit në Prishtinë, reagon ministrja e Arsimit

 
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka reaguar sot pas vrasjes së 14 vjeçarit në Prishtinë.
Nagavci ka thënë se kjo është një ditë e rëndë, një trishtim e dhembje e madhe që e ndjen secili prind, secili qytetar i Kosovës. “Sot, zemrat tona janë me familjen e nxënësit që u nis, por nuk arriti në shkollë!”.
Nga vizita në shkollë dhe në familje, në komunikim me organet e rendit, Nagavci ka thënë se u sigurua se hetimet po zhvillohen me intensitet të lartë dhe presin që shpejtë të ndiçohet rasti.
“Si nënë, si mësimdhënëse, e si ministre, i lus të gjithë mësimdhënësit dhe prindërit që të punojnë edhe më shumë në edukimin dhe ndërgjegjësimin e fëmijëve, të jenë të kujdesshëm për sjelljet që mund të manifestojnë ata, t’i adresojnë problemet dhe vështirësitë që kanë, të kujdesemi për sigurinë e fëmijëve sot e gjenerat që po krijojmë”, ka thënë Nagavci.
Tutje, Nagavci ka thënë se si Qeveri e Kosovës, bashkë me organet kompetente të sigurisë, po punojnë që të krijojnë sa më shumë siguri për fëmijët në shkollë, në rrugë e kudo.
“Puna jonë në këtë drejtim synon mekanizma koordinues funksional në nivel qendror, komunal e në nivel shkolle; sistem funksional të paralajmërimit të hershëm të braktisjes, parandalim të dhunës dhe dukurive negative; vetëdije të ngritur të institucioneve shkollore e komunale për adresimin sistemor të problemeve që e sfidojnë zhvillimin e fëmijëve; rritje e cilësisë së të dhënave për fëmijët braktisës, ata që janë në rrezik për braktisje, etj”, ka thënë Nagavci.
Tutje në Facebook, Nagavci ka shkruar se tragjeditë si kjo e sotmja, ku ne humbëm një nxënës, janë alarm për gjithë shoqërinë që të bashkëpunojmë ngusht për të mirën dhe sigurinë e fëmijëve tanë.
Ajo i ka shprehur ngushëllime familjes, shokëve dhe kolektivit të shkollës./21Media

Back to top button