Vrasja në Milot, Policia jep detaje

Policia e Shtetit ka dhënë detaje për atentatin e sontëm në Milot, si pasojë e së cilit ka vdekur një person, ndërsa një tjetër është plagosur.
Policia ka informuar se rasti ka ndodhur rreth orës 21:00 dhe se në vendngjarje kanë shkuar menjëherë forca të shumta policie dhe grupi hetimor.
Policia gjithashtu ka bërë të ditur nga forcat policore të Komisariateve të Policisë Kurbin dhe Lezhë, me mbështetje edhe nga grupet e FNSH Shkodër, po bëhet krehja e zonës dhe janë ngritur pika kontrolli, me qëllim kapjen e autorit/ëve.
“Në qytet Milot, në sheshpushimin e një pallati, rreth orës 21:00, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit tip fuoristradë “Land Chrysler”, brenda të cilit ndodheshin shtetasit K. P., 28 vjeç dhe Y. B., 46 vjeç, banues në Kurbin, të cilët janë dërguar në Spitalin e Traumës, në Tiranë. Shtetasi K. P. ka ndërruar jetë. Në vendngjarje kanë shkuar menjëherë forca të shumta policie dhe grupi hetimor.”, është bërë e ditur në njoftim.
Janë ngritur pika kontrolli në Rrugën e Kombit, në drejtim të Matit, të Lezhës, të Tiranës dhe të Krujës.
Në fshatin Gramëz, rrethi Krujë, Policia ka konstatuar duke u djegur një automjet, që dyshohet se është automjeti i përdorur nga autori/ët për kryerjen e ngjarjes kriminale.
“Nga kqyrja paraprake, brenda tij, janë gjetur 2 armë zjarri kallashnikov. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, vazhdon veprimet hetimore, duke administruar çdo provë, pamje filmike, informacion si dhe dëshmi, për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.”, ka bërë të ditur tutje Policia./21Media

Back to top button