Vrasja e 35 vjeçares, Rama: Rasti i dytë brenda një jave, situata të trajtohet si alarmante

(Lajm i përditësuar)

Vrasja e 35 vjeçares, Rama: Rasti i dytë brenda një jave, situata të trajtohet si alarmante

I pari i Prishtinës, Përparim Rama është shprehur i tronditur nga rasti tragjik që ndodhi sot, ku një 35 vjeçare u qëllua për vdekje në oborrin e QKUK-së.

“Jam thellësisht i tronditur nga ngjarja që ka ndodhur sonte në Prishtinë, në oborrin e Klinikës Gjinekologjike, ku një grua e re që priste të bëhej nënë, u vra bashkë me foshnjën e saj ende të palindur. Ky është rasti i dytë i vrasjes së grave brenda një jave dhe kjo situatë duhet të trajtohet si alarmante nga institucionet e sigurisë dhe të drejtësisë. I shpreh ngushëllime të thella familjes së viktimës duke shpresuar se ky do të jetë rasti i fundit i dhunës e vrasjes së grave në Kosovë”, shkroi Rama.

Krasniqi për vrasjen e 35 vjeçares: Çnjerëzore, dhuna në bazë gjinore është alarm urgjent

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi ka reaguar pas rastit tragjik që tronditi vendin këtë mbrëmje, ku një 35 vjeçare u vra në oborrin e QKUK-së.

Krasniqi e quajti çnjerëzore këtë vrasje, dhe ftoi organet të reagojnë ndaj autorit.

“Tragjike, mizore, çnjerëzore! Pa fjalë nga krimi në QKUK, ku një burrë dyshohet se ka vrarë ish-gruan e tij shtatëzënë. Ngushëllimet më të thella familjes për humbjen e familjares së tyre. Megjithëse është vështirë të gjendet dënim që shpaguan këtë krim makabër, ftoj organet e drejtësisë të reagojnë me tërë fuqinë dhe kompetencën e tyre ndaj autorit. E kam thënë ditë më parë, po e përsëris edhe sonte: dhuna me bazë gjinore është alarm urgjent për të gjitha institucionet e shtetit. Duhet të veprohet sot. Shpejtë. Pa kompromis!”, ka thënë Krasniqi.

​Vrasje e shtatzënës, Abdixhiku: Ka diçka thellësisht të tmerrshme brenda shoqërisë sonë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar për vrasjen e 35 vjeçares në oborrin e QKUK-së.

Abdixhiku ka thënë se ende pa u bërë një javë nga vrasja e arsimtares së gjeografisë nga burri i saj në Prishtinë, një ngjarje tjetër trishtuese godet shoqërinë tonë.

“Sërish një grua, në javën e fundit të shtatzënisë, bëhet viktimë e një krimi monstruoz. Kjo më s’është gjendje normale; e ne nuk mund të normalizojmë vetëm me reagime këtë alarm nacional që na shpërfaqet në mënyrën më çnjerëzore të mundshme para sysh tani nga dy herë në javë. Fjalët tani humbin peshën. Asgjë çfarë themi sot nuk kthen prapa jetën e shuar të një gruaje të pambrojtur e jetën e pa nisur të një fëmije. Si prind e familjar ndjej dhimbje dhe mllef për humbjen e trishtë të kësaj mbrëmje. Si pjesë e spektrit politik, ndjej obligimin njerëzor për të luftuar këtë dukuri dhune ndaj gruas që ka marrë karakter nacional tashmë. Ky duhet të jetë misioni ynë parësor sot. Ka diçka thellësisht të tmerrshme brenda shoqërisë sonë; dhe ne nuk mund të sillemi në cikël të njëjtë reagimi; nga dhuna në reagim, deri në fatalitetin tjetër. Na duhet një veprim kombëtar, nga policia tek prokuroria e gjyqësia, nga edukimi e mbështetja kolektive, për të luftuar këtë dukuri dhune ndaj gruas drejt e në rrënjë. Kosova mundet më ndryshe. Shoqëria jonë duhet të jetë më ndryshe”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

Abdixhiku ka ftuar organet e rendit dhe sigurisë të veprojnë me përgjegjësi e pa kompromis ndaj rastit të sotëm, ndërsa familjes, të afërmve e miqve, u shpreh ngushëllime duke thënë se kjo humbje jete, si çdo tjetër, është plagë që rëndon mbi të gjithë.

Vrasja e gruas shtatzënë, Bajrami: Krimet po ndodhin pasi s’ka dënime kapitale për kriminelët

Deputetja nga radhët e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas vrasjes së një gruaje 35-vjeçare shtatzënë sonte në oborrin e Gjinekologjisë, duke thënë se krimet e tilla po ndodhin pasi që sipas saj nuk ka dënime kapitale për kriminelët.

Ajo ka thënë se ky është rasti i dytë brenda pak ditësh kur edhe një mësuese u vra në mënyrë mizore.

“Gjithë këto krime po ndodhin pasi s’ka dënime kapitale për kriminelët. Gjykatat duhet të japin dënime maksimale për gjithë ata që bëjnë krime të tilla. Në praktikë po ndodh e kundërta. Këto dy vrasje po ndodhin pak ditë pasi gjykata uli dënimin nga burgimi i përjetshëm në 35 vjet burgim për vrasësin e Donjeta Pajazitajt. Vrasësi ishte recidivist. Kishte vrarë edhe një fëmijë për hakmarrje. Pse t’i ulet dënimi dikujt që është përsëritës i veprave penale? Të gjitha hallkat e shoqërisë duhet të reagojnë. Nga Parlamenti e deri te familja. Duhet angazhim gjithëkombëtar për t’i ndalë këto krime dhe për t’i dënuar kriminelët”, ka shkruar Bajrami në Facebook.

Haradinaj për vrasjen e 35 vjeçares: Ky akt i shëmtuar kundërshton traditën tonë

Kreu i AKR-së, Ramush Haradinaj ka reaguar për vrasjen e 35 vjeçares në QKUK.

Haradinaj u shpreh i tronditur nga rasti tragjik.

Haradinaj u shpreh se “nuk mjafton vetëm puna e organeve të rendit dhe ligjit, por duhet një mobilizim si shoqëri”.

“I tronditur nga lajmi për vrasjen makabre që ndodhi në SHSKUK. Ky akt i shëmtuar dhe qyqar, kundërshton traditën tonë shqiptare dhe vet logjikën njerëzore. Nuk mjafton vetëm puna e organeve të rendit dhe ligjit, por duhet një mobilizim i joni si shoqëri, në të gjitha nivelet, që të tilla tragjedi të parandalohen e të mos i përjetojmë asnjëherë. Ndajmë dhembjen me familjen dhe të gjithë qytetarët e Kosovës”, shkroi Haradinaj.

Lushaku-Sadriu: Qysh bre, çdo ditë nga një grua e vrarë nga burri?!

Kryetarja e Forumit të Gruas në Lidhjen Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, ka reaguar për rastin e vrasjes që ka ndodhur në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Ajo në Facebook ka shkruar se çdo ditë po vritet një grua nga një burrë.

“O kriminelë! O vrasës! Qysh bre, cdo ditë nga një grua e vrarë nga burri?!!! Kush po ua jep këtë të drejtë, o kriminelë?! Çmenduri!!!!”, ka shkruar Lushaku-Sadriu.

Vrasja e 35 vjeçares, Pacolli: Kush është ai burrë që ngre armë kundër një gruaje dhe një fëmijë në barkun e saj?

Kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli ka reaguar pas rastit tragjik, ku një 35 vjeçare u vra në oborrin e Klinikës së Gjinekologjisë.

Pacolli u shpreh i tronditur nga ky rast.

“Kush është ai burrë që ngre armë kundër një gruaje dhe në këtë rast një fëmijë në barkun e saj? Kush ka një zemër të tillë? Si mund të ndodhë kjo në qendër të Prishtinës. Ti që e ke bërë këtë duhet të dorëzohesh menjëherë. Dënimi juaj duhet të jetë më i ashpër ndonjëherë! Jam thëllësisht i tronditur! Ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes të së ndjerës”, tha Pacolli.

Çitaku për vrasjen e 35 vjeçares: Për “monstrumin” që sot i shuajti dy jetë, dënim maksimal

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku ka reaguar në lidhje me vrasjen e 35 vjeçares në oborrin e Klinikes Gjinekologjike, në QKUK.

“Dy gra që vriten pikërisht brenda periudhës së kampanjës kundër dhunës me bazë gjinore. Për monstrumin e sotëm që shuajti dy jetë, një në mes e tjetrën pa filluar ende, dënim maksimal”, ka shkruar Çitaku.

Ndërkaq, Policia e Kosovës ka konfirmuar vrasjen e një gruaje në oborrin e Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK.

Zëdhënësja e Policisë, Flora Ahmeti, në konfirmimin për RTV21 ka njoftuar se viktima është 35-vjeçare.

“Rreth orës 18:00, kemi pranuar informatën për një trup të pajetë, në oborrin e QKUK-së në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe ekipi mjekësor të cilët kanë konstatuar vdekjen  e viktimës, femër, rreth 35 vjeç. Mbështetur në informacionet e para, dyshimet e ngritura sugjerojnë se bëhet fjalë për vrasje.

Aktualisht policia në koordinim me prokurorin e  shtetit ka nisur një hetim dhe po vijon ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, me qëllim sqarimin e plotë të ngjarjes”, ka njoftuar Ahmeti./21Media

Artikuj të ngjashëm

Back to top button
close button