Vritet një person në një hotel në lagjen “Arbëria” në Prishtinë, dy të tjerë dërgohen në QKUK

Një person ka vdekur nga të shtënat me armë zjarri dhe dy të tjerë kanë marrë lëndime trupore si pasojë e therjes me thikë.

Kjo ngjarje ka ndodhur sot rreth orës 13:20 në lagjen “Arbëria” në Prishtinë, saktësisht në një hotel.

Rastin për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

“Sot rreth orës 13:20 policia ka marrë informatën për të shtëna me armë zjarri, në lagjen Arbëria të Prishtinës, saktësisht në një hotel. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e nevojshme policore dhe ekipi mjekësor. Bazuar në të dhënat fillestare nga arma e zjarrit lëndime ka pësuar një person, i cili në vendngjarje ka ndërruar jetë, vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor. Ndërsa dy persona të tjerë të lënduar(dyshohet me mjet të mprehtë) janë dërguar për tretman mjekësor”, ka njoftuar Ahmeti.

Aktualisht hetuesit policor, në koordinim me prokurorin e shtetit janë duke punuar për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me këtë ngjarje./21Media

Back to top button