Vritet personi që ishte në kërkim nga policia

 

Policia e Kosovës sonte ka informuar se ka vdekur një person në Prizren.

Policia ka bërë të ditur se në lagjen e trimave në Prizren ka hasur në një person (B.Sh. me pseudonimin “qorri”), që ishte në kërkim me urdhërarrest për vepër penale “Tentim Vrasje” dhe në momentin që ka vërejtur policinë ai ka shtënë me armë dhe gjatë shkëmbimit të armëve është plagosur. Më pas, nga plagët e marra personi i dyshuar ka vdekur.

“Personi i dyshuar në momentin kur ka vërejtur njësitin policor, ka filluar të shtiej me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve policor, të cilët në vetëmbrojtje janë detyruar t’i kundërpërgjigjen personit të dyshuar me armë zjarri, të cilët janë mbështetur edhe nga njësitet speciale të PK-së.
Nga shkëmbimi i armëve të zjarrit është plagosur personi i dyshuar, të cilit i është ofruar ndihma mjekësore dhe menjëherë është dërguar për trajtim mjekësor në qendrën spitalore. Nga mjekët kompetent është konfirmuar se personi i dyshuar nga plagët e marrura ka ndërruar jetë.”, ka bërë të ditur policia.

Ndërkohë, në vendin e ngjarjes është gjetur një armë e zjarrit-pistoletë, me të cilën dyshohet se personi i dyshuar ka shtënë në drejtim të zyrtarëve policorë si dhe dy granata dore.

“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saj ligjore, pavarësisht se në ç’farë situte mund të ndodhet, me qëllim të ruajtjes së rendit publik dhe parandalimit të krimit.”, është bërë e ditur në komunikatën e Policisë./21Media

Back to top button