Vritet vajza e aleatit të ngushtë të Putinit

Vajza e aleatit të ngushtë të presidentit rus Vladimir Putin, Darya Dugina është vrarë në afëris të Moskës.
Sipas mediave shtetërore, Dugina vdiq pasi makina e saj shpërtheu, ndërsa ajo po udhëtonte për në shtëpi.
Mendohet se objektivi i synuar i sulmit mund të ketë qenë babai i saj, filozofi rus Alexander Dugin, i njohur si “truri i Putinit”.
Dugin është një ideolog i shquar ultra-nacionalist që besohet të jetë i afërt me presidentin rus.
Sipas medias ruse 112, dyshja duhej të ktheheshin nga një ngjarje të shtunën në mbrëmje me të njëjtën makinë përpara se Dugin të merrte vendimin për të udhëtuar veçmas nga vajza e tij në minutën e fundit.
Pavarësisht se nuk mban një pozicion zyrtar në qeveri, babai i Darya është një aleat i ngushtë i presidentit rus.
Vajza e filozofit, Darya ishte vetë një gazetare e shquar që mbështeti me zë pushtimin e Ukrainës.
Në fillim të këtij viti ajo u sanksionua nga autoritetet e SHBA-së dhe Britanisë së Madhe, të cilët e akuzuan 30-vjeçaren se ka kontribuar në “dezinformimin” në internet në lidhje me pushtimin e Rusisë.
Në maj, ajo e përshkroi luftën si një “përplasje qytetërimesh” në një intervistë dhe shprehu krenarinë për faktin se ajo dhe babai i saj ishin sanksionuar nga Perëndimi.
Alexander Dugin u sanksionua nga SHBA në 2015 për përfshirjen e tij të dyshuar në aneksimin rus të Krimesë.
Shkrimet e tij vlerësohen se kanë një ndikim të thellë në botëkuptimin e Vladimir Putinit dhe ai konsiderohet të jetë arkitekti kryesor intelektual i ideologjisë ultra-nacionaliste të cilës i përmbahen shumë në Kremlin.
Për vite me radhë, Dugin i ka bërë thirrje Moskës që të afirmohet në mënyrë më agresive në skenën globale dhe ka mbështetur veprimet ushtarake ruse në Ukrainë./21Media

Back to top button