Vuçiq i kërkon Admiralit Munsch që “NATO ta mbrojë popullin serb në Kosovë”

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ka kërkuar NATO-s që, siç tha, “ta mbrojë popullin serb në Kosovë. Vuçiq takoi në Beograd, komandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli, Admiralin Stuart Munsch. Takimi me Munsch erdhi në një periudhë tensionesh në Kosovë, me barrikadat e pjesëtarëve të komunitetit serb në pjesën veriore të vendit.
“Bisedë e mirë me admiralin Munsch. i kërkova NATO-s të mbrojë popullin tonë në Kosovë dhe i falënderova për mirëkuptimin e politikës së neutralitetit të Serbisë”, shkroi Vuçiq në profilin e tij në Instagram.
Në një intervistë për agjencinë serbe, Beta, komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta të NATO-s, admirali Stuart Munsch deklaroi se KFOR-i është duke e monitoruar nga afër situatën në veri të Kosovës. Ai shtoi se KFOR-i është “plotësisht i aftë dhe i gatshëm të sigurojë një mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet kudo në Kosovë, në përputhje me mandatin e bazuar në Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara të Këshillit të Sigurimit nga viti 1999”.
“Që nga tetori ne kemi shtuar praninë, ndër të tjera, duke shtuar forcat, si dhe patrullimet në veri të Kosovës këtë javë. Presim që të gjithë aktorët të jenë në koordinim të ngushtë me misionin e KFOR-it dhe të përmbahen nga demonstrimet provokuese të forcës, në mënyrë që të ruhet siguria e të gjitha komuniteteve”, tha Admirali Munsch./21Media

Back to top button