Vuçiq kërkon tërheqjen e të gjitha trupave nga veriu: Më pas mund të bisedojmë

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq sot ka deklaruar se Serbia është e gatshme për dialog, por ka theksuar se nuk pajtohet me veprime të njëanëshme.
Vuçiq, pas Mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, ka thënë se zgjidhja e vetme është tërheqja e trupave nga veriu i Kosovës e pastaj të shkojnë në bisedime.
“Serbia është gjithmonë e gatshme të pranojë dialogun, por nuk do të pajtohet për veprime të njëanshme dhe në biseda me shtetet e forta të botës kam marrë një propozim se si do të mund të ishte një zgjidhje kompromisi, dhe e kam refuzuar sepse nuk është një kompromis, por poshtërim për Serbinë. Zgjidhja e vetme është tërheqja e të gjitha trupave nga veriu i Kosovës, të kthehemi në situatën e mëhershme, e më pas mund të shkojmë e të bisedojmë”, ka thënë Vuçiq.
Ai ka shtuar se ka biesduar me ambasadorët e vendeve të Quint-it për këtë çështje, por ka thënë se ka marrë propozim të “papranueshëm”.
“Unë e refuzova atë zgjidhje sepse nuk është kompromis, por një zgjidhje që do ta poshtëronte Serbinë. Është një zgjidhje me të cilën 70% e asaj që shqiptarët kishin ndërmend të bënin në vijën administrative, ata do ta harronin, por do të prezantonin 20/30 përqind të masave. Kam marrë pëlqimin e Këshillit për refuzim. Unë e refuzova sepse jam lodhur nga politika e aktit të përfunduar dhe ju nuk mund të flisni kështu me Serbinë”, ka shtuar Vuçiq.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës, dje ka vendosur masë reciprociteti ndaj Serbisë për targat e automjeteve. Sipas vendimit, veturat që hyjnë nga Serbia duhet të pajisjen me targa të përkohshme në pikëkalimet kufitare të Kosovës. Qeveria e Kosovës ka deklaruar se të gjithë shoferët me targa të lëshuara nga Serbia duhet të paguajnë 5 euro për targa të përkohshme dhe vlefshmëria e tyre është 60 ditë.

Back to top button