Vuçiq: Nuk kemi udhërrëfyes për zgjidhjen e krizës në veri të Kosovës

(Lajm i përditësuar)


Vuçiq: Kurti provokon çdo ditë dhe dëshiron të fillojë një konflikt

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha se dialogu është gjithmonë shërues, por sipas tij në këtë pikë nuk sheh ndonjë arsye për të folur me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

Sipas tij Kurti është ai që po provokon dhe po dëshiron të fillojë një konflikt.

“Ne duhet të përpiqemi të zgjidhim çdo problem përmes dialogut. Në këtë pikë, nuk shoh asnjë arsye për të folur me një njeri që provokon çdo ditë dhe dëshiron të fillojë një konflikt. Kjo është ideologjia e tij fanatike, besoj se çdo bisedë me të do të sillte dëme shtesë dhe prandaj mendoj se biseda me të është e pakuptimtë”, u tha Vuçiq gazetarëve.


Vuçiq i ankohet Borrellit, pretendon se serbët në Kosovë po keqtrajtohen 

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë se nuk mund të konfirmojë që “ka ndonjë udhërrëfyes”, për daljen nga kriza në veri të Kosovës.

Ai tha se në takim me zyrtarët e lartë evropianë ka diskutuar për situatën në Kosovë si dhe se u ka paraqitur një raport për lëndimet e serbëve të arrestuar dhe sipas tij ata “nuk janë fajtorë për asgjë”.

Këto komente ai i bëri pas takimit bilateral me ndërmjetësuesit e dialogut Kosovë-Serbi.


Borrell në takimin me Vuçiqin: Palët pritet të qetësojnë tensionet dhe të përmbushin detyrimet pa parakushte

Pas takimit me Kurtin, zyrtarët e lartë evropianë kanë nisur një takim tjetër, me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Lidhur me këtë takim Borrell ka thënë se “Palët pritet të qetësojnë tensionet dhe të përmbushin detyrimet e tyre pa parakushte”.

“Ide konstruktive dhe gatishmëri për kompromis nevojiten për të adresuar krizën e vazhdueshme në veri të #Kosovës. Palët pritet të qetësojnë tensionet dhe të përmbushin detyrimet e tyre pa parakushte. Takimi me Presidentin e #Serbisë @predsednikrs ka filluar”, ka shkruar ai në “Twitter”


Borrell në takimin me Vuçiqin

Rreth orës 16:40 në Bruksel fillojë takimi i presidentit serb, Aleksandar Vuçiq me komisionerin e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell dhe të dërguarin special të BE-së për dialogun Miroslav Lajçak.

Sipas mediave serbe në takim do të diskutohet për zhvillimet e fundit në veri të Republikës së Kosovës.

Vuçiq ka thënë më herët gjatë ditës së sotme se do të bisedojë me Borrellin në Bruksel, por jo me kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin, sepse, siç tha ai, nuk ka kuptim./21Media

Back to top button