Vuçiq: Kurti s’është i interesuar për paqen dhe as çka mendojnë SHBA për të

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se është e qartë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk do të ndryshojë politikat e tij dhe e akuzoi atë se “do të që të nxis luftë”.

Vuçiq në një intervistë për “The Pavlovic Today”, tha se Kurti nuk është i interesuar për paqen dhe as “për atë që SHBA-ja mendon për të”.

“Kurti dëshiron të jetë ai që hyn në konflikt me Serbinë, sepse i mungon në rezymenë e tij, të jetë dikush që mund të thotë, ‘Ja ku jam, një udhëheqës lufte’, jo vetëm Thaçi apo kushdo tjetër. Në kushte të tilla, kur dikush ka një qasje kaq të paarsyeshme, është krejtësisht e pamundur ta angazhosh atë në një mënyrë racionale, inteligjente dhe të mençur. Dhe prandaj nuk e kanë të lehtë as amerikanët të flasin me të”, tha Vuçiq.

Presidenti serb tha se gjendja po vështirësohet më shumë dhe “në vend që të kërkojë mënyra dhe mjete për të adresuar sfidat e përbashkëta me të cilat përballemi të gjithë, Kurti është i prirur drejt krijimit të konflikteve, provokimit, apo edhe, Zoti na ruajt, nxitjes së luftës”.

“Do të prisnit që qëllimi i Kurtit është të bashkëpunojë me ata që kanë krijuar, siç thonë ata, Kosovën. Të ketë marrëdhëniet më të mira dhe më të afërta me ta, në të cilat duhet të kuptojë se roli i tyre është minimal dhe se ata që e kanë bërë, në radhë të parë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duhet të kenë respektin më të madh. Por, Kurti nuk dëshiron ta konsiderojë nga ky këndvështrim, ai është i interesuar për rolin e tij. Ai nuk është i interesuar për paqen, nuk është i interesuar as për atë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës mendojnë për të”, tha Vuçiq për “The Pavlovic Today”.

Vuçiq tha se ka kërkuar takim me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, me të cilin do të bisedojë gjatë javës së ardhshme, për t’i kërkuar siç tha “fundin e provokimeve në Kosovë”.

“Të gjitha këto provokime”, tha Vuçiq, “do të vazhdojnë” ditë pas dite. “Është shumë e qartë se Kurti nuk do të ndryshojë politikën e tij, prandaj takimi me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s është vendimtar. NATO duhet t’u japë fund të gjitha këtyre provokimeve”, theksoi Vuçiq./21Media

NDIQNI PJESËT MË INTERESANTE TË PROGRAMIT TË RTV21, DUKE BËRË LIKE KËTË FAQE – 21 MEDIA

Back to top button