Vuçiq në CNN: Serbisë s’iu desh incidenti në Kosovë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë se Serbisë nuk i është dashur fare “incidenti në Kosovë”.

Në një intervistë për “CNN” Vuçiq i ka ikur pëgjigjes direkte nëse Milan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës Serbe, do të përgjigjet për sulmin në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, ku vdiq polici Afrim Bunjaku e u plagosën tre policë të tjerë. Në atë sulm vdiqën edhe tre sulmues.

“Sigurisht Serbia do të mbajë përgjegjës gjithë njerëzit që kanë kryer vepra kriminale, prokurorët do të duhet të kryejnë punën e tyre. Problemi është se serbët donin të mbronin veten. Nuk dua ta mbrojë vrasjen e një polici shqiptar, e as nuk e kam bërë, e kam dënuar këtë. Por, serbët po arrestoheshin pa akuza, po bastiseshin, po dëboheshin. Çdo gjë që nuk ishte me marrëveshje të Brukselit. Asociacioni nuk është formuar që nga viti 2013, është nënshkruar dhjetë vjet më parë. Regjimet shqiptare në Prishtinë kanë refuzuar ta themelojnë. Njerëzit kanë dashur të mbroheshin. Nuk mund të keni qasje të ndryshme në vitin 1998, 1999 dhe 2003. Mendoj se dialogu është zgjidhja e vetme”, ka thënë Vuçiq.

Vuçiq tutje ka shtuar se në takimin e fundit në Bruksel më 14 shtator, ishte thënë nga BE-ja se “Serbia ishte plotësisht konstruktive e se Kosova nuk po e themelon Asociacionin”.

I pyetur për rritjen e numrit të ushtarëve serbë përgjatë kufirit me Kosovën, Vuçiq ka thënë se nuk është e vërtetë kjo. Ai ka bërë thirrje për prani më të madhe të KFOR-it në Kosovë.

Vuçiq ka thënë se Serbia “është e gatshme për të negociuar dhe se gjithmonë ka qenë konstruktive në dialog”.

Ai ka thënë se Serbia nuk ka interes për të dalë nga rruga euroatlantike.

Back to top button