​Vuçiq: Nuk na shkon mendja për sulm ndaj Kosovës

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka hedhur poshtë deklarimet se “vendi i tij po përgatitet për sulm ndaj Kosovës”.

Ai në një konferencë për media sot në Beograd me ndihmës Sekretarin e Byrosë për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike të Departamentit të Shtetit, James O’Brien, ka deklaruar se “deklarimet për qëllimin e Serbisë për pushtim dhe luftë janë gënjeshtra”.

“Nuk na shkon mendja të marrim pjesë në diçka të tillë, kemi bashkëpunim të mirë me KFOR-in dhe komandantin e KFOR-it, Ozkan Ulutash”, tha Vuçiq.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dje ka akuzuar Serbinë për ushtrimet ushtarake në Peshter të Sanxhakut, duke thënë se është faktori kryesor i përpjekjeve për destabilizimin e Ballkanit Perëndimor dhe se këto ushtrime janë dëshmi e kësaj.

Kurti tha se këto ushtrime po mbahen 30 kilometra larg kufirit me Kosovën dhe tri kilometra larg kufirit me Malin e Zi dhe se si të tilla janë destabilizuese për rajonin.

Përveç tjerash, duke ironizuar Kurti tha se këto ushtrime paraqesin gjithashtu edhe ndotjen më të madhe të ajrit e tokës në Sanxhak.

Ndërsa ministri i Mbrojtjes Ejup Maqedonci ka thënë se vendosja e trupave ushtarake serbe përreth kufirit me Kosovën përbën kërcënimin të vazhdueshëm për stabilitetin e Ballkanit, gjë e cila duhet të trajtohet me seriozitet lëvizjet e tilla të Serbisë edhe nga ana e NATO-s.

 

Vuçiq: Serbia e SHBA bien dakord për pak gjëra për Kosovën

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, deklaroi sot se për vendin e tij ka tema shumë të vështira në tryezë, teksa sa i përket Kosovës, ai shtoi se Serbia dhe SHBA bien dakord për pak gjëra.

“Ne pajtohemi se është shumë e rëndësishme që paqja dhe stabiliteti të ruhen. Dhe nga pala serbe premtova se Serbia do të sillet me përgjegjësi dhe seriozitet”, tha Vuçiq në një konferencë për media pas takimit me ndihmës Sekretarin e Byrosë për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike të Departamentit të Shtetit, James O’Brien në Beograd.

Vuçiq tha se i është mirënjohës O’Brien për qëndrimin e tij të qartë se është jashtëzakonisht e rëndësishme që Kosova të përmbushë obligimin për formimin e asociacionit.

“Ai detyrim është i madh dhe i fortë, prej 11 vitesh është një letër e vdekur. Të gjithë në komunitet po na gënjejnë – edhe Prishtina edhe evropianët. Ndoshta askush nuk na gënjen, por pas 4000 ditësh nuk bënë asgjë, për dallim nga serbët që bënë gjithçka nga Marrëveshja e Brukselit, madje edhe disa nga Marrëveshja e Ohrit”, tha Vuçiq.

Ai tha se Kosova “ka imponuar gjëra të reja në dëm të popullit serb”, duke përmendur heqjen e dinarit. Sipas tij, “për këtë Kosova do të shpërblehet me anëtarësim në Këshillin e Evropës”.

“Unë thashë se ne e dimë që jemi të vegjël, se Amerika është superfuqi, por ne do ta kundërshtojmë këtë dhunë ndaj shtetit dhe popullit serb sa të mundemi dhe do ta luftojmë. Humbur-humbur, çfarë të bëjmë”, tha Vuçiq.

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës para tri ditësh mbështeti anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë. Pro Kosovës votuan 131 deputetë, kundër 29 dhe 11 abstenuan. Asnjë nga amendamentet e propozuara nga Serbia kundër hyrjes së Kosovës në KiE nuk u miratuan dhe si të tilla u hodhën poshtë.

Çështja tash kalon në duart e ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës, të cilët do të vendosin në muajin maj nëse Kosova do të bëhet anëtarja e 47-të e organizatës.

Back to top button