Vuçiq: Serbët e Kosovës do të votojnë në Serbi
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se Kosova ka kërkuar që Qeveria e Serbisë t’i kërkojë drejtpërdrejtë Qeverisë së Kosovës që të lejojë mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare më 3 prill, gjegjësisht “që Serbia ta pranojë Kosovën”.
Vuçiq ka thënë se Serbia nuk ka pranuar të bëjë diçka të tillë.
“Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës. Ata kanë insistuar vetëm në një gjë, pra që ne ta njohim pavarësinë e Kosovës. Serbia nuk e ka pranuar këtë dhe nuk do ta pranojë. Për këtë nuk e kemi pranuar”, tha Vuçiq para gazetarëve.
Vuçiq gjithashtu theksoi që për serbët e Kosovës do të përgatiten vendvotime në komunat në Serbinë qendrore.
Vuçiq sot iu drejtua qytetarëve të Serbisë dhe në fillim shpjegoi se çfarë është diskutuar në seancën e Këshillit të Sigurimit. Një nga temat e mbledhjes së Këshillit, më e rëndësishmja, ishte refuzimi i autoriteteve të Kosovëss për votimin e serbëve në territorin e Kosovës për zgjedhjet në Serbi./21Media