Vuçiq takohet me Hill: Ramë dakord për formimin urgjent të Asociacionit

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka biseduar me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Christopher Hill dhe e ka njoftuar për raundin e fundit të bisedimeve në Bruksel, bëhet e ditur në llogarinë e Vuçiq në Instagram.
“Ramë dakord që formimi urgjent i Bashkësisë së Komunave Serbe është i një rëndësie prioritare, por edhe se duhet shumë përpjekje, punë dhe diskutime për zgjidhjen e problemeve të akumuluara në jetën e përditshme të qytetarëve në Kosovë”, shtoi Vuçiq. .
Siç thuhet në rrjetin social, Vuçiq ka falënderuar për ftesën për të marrë pjesë në Samitin e ardhshëm për Demokraci, i cili do të mbahet në mars të këtij viti, dhe ku do të diskutohet “jo vetëm rëndësia e vlerave demokratike në botën e sotme, por edhe perspektivat ekonomike globale”.
“Kemi shkëmbyer mendime edhe për planet e Serbisë në lidhje me diversifikimin e burimeve energjetike dhe efiçiencës së energjisë, por edhe për shumë çështje të tjera me interes të përbashkët”, shkroi në Instagram.
Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill,  të enjten ka thënë se Prishtina dhe Beogradi në takimin në Bruksel kanë treguar se janë “shumë seriozë për të ecur përpara”, dhe se Asociacioni i komunave me shumicë serbe është çështja më urgjente./21Media

Back to top button