Vuçiqi kërcënon Kosovën dhe Malin e Zi

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka kërcënuar Kosovën dhe Malin e Zi me “pasoja afatgjate” nëse nuk lejojnë që brenda territoreve të tyre të organizohen zgjedhjet e Serbisë së 3 prillit.

“Prisni gjithçka, sot Qeveria e Malit të Zi ndaloi votimin në Beranë dhe disa vende për zgjedhje tona. Qeveria e Kurtit ka kërkuar ta njohim pavarësinë e Kosovës për të organizuar zgjedhjet. Kurti do të marrë përgjigjen, e dini se çfarë përgjigje do të marrin. Përgjigje nga njerëz seriozë dhe të përgjegjshëm, por do të ketë pasoja afatgjate”, ka thënë Vuçiq.
Në një tubimin parazgjedhor në Kikinda, Vuçiq ka thënë se të gjitha efektet e luftës në Ukrainë dhe gjithçka që po ndodh në Evropë dhe në botë do të diskutohen në seancën e Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
Nga ana tjetër, Mimoza Kusari – Lila, shefe e Grupit Parlamentar të partisë qeverisëse në Kosovë, Lëvizjes Vetëvendosje, sot ka thënë se Serbia ende nuk i ka bërë ndonjë kërkesë të drejtpërdrejtë Qeverisë së Kosovës për mbajtjen e zgjedhjeve të saj presidenciale dhe parlamentare brenda territorit të Kosovës.
Kurse, sipas kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, qeveria që ai drejton synon që të drejtat e serbëve të mos shkelen, por në të njëjtën kohë edhe të mos cenohet shtetësia e Kosovës. “Konsiderojmë që në njërën anë, nuk duhet t’iu pamundësojmë serbëve në Kosovë, që e kanë përveçse nënshtetësinë e Kosovës edhe atë të Serbisë, ta kenë të drejtën e votës, mirëpo në anën tjetër, kushtetutshmëria, ligji në Kosovë, rezoluta e fundit e Kuvendit e 15 janarit, neve na e obligojnë bazën e çfarëdo zgjidhjeje që do të marrim në të ardhmen”, ishte  shprehur Kurti.
Kuvendi i Kosovës me 15 janar, ka miratuar një rezolutë përmes së cilës është kundërshtuar mbajtja e votimeve të organizuara nga Serbia në Kosovë,  për një referendum të Serbisë për ndryshime kushtetuese. Kjo përfshin edhe organizimin e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë. Vendet e QUINT-tit dhe Bashkimi Evropian, e patën pritur me keqardhje vendimin e Qeverisë së Kosovës që nuk lejoi mbajtjen e referendumit në Kosovë.
Zgjedhjet e fundit parlamentare në Serbia,  që janë organizuar edhe për komunitetin serb në Kosovë, kanë qenë ato të 21 qershorit 2020. Ato  janë mbajtur sipas një praktike, ku misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë i ka grumbulluar votat dhe më pas ato janë numëruar në Rashkë dhe Vranjë, dy qytete kufitare të Serbisë./21Media
 
Back to top button