Vujanoviç nuk pret trazira

Vujanoviç tha sot Malit të Zi nuk i duhet referendumi për anëtarësimin në NATO

Presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviç tha sot se nuk do të propozojë referendum për hyrjen e Malit të Zi në NATO.

Ai tha se Parlamenti ka legjitimitet që të prononcohet për këtë çështje, ndërsa ai personalisht ka ndryshuar mendjen krahasuar me para katër vitesh, kur pohoi se do të ketë referendum mbi këtë çështje.

”Katër vite më parë mendoja sinqerisht se referendumi ishte mënyra më e mirë që të theksohet vullneti i qytetarëve. Katër vitet e fundit treguan se për këtë nuk ka nevojë. Nuk ka ndodhur asgjë që do ta bënte të domosdoshëm referendumin”, deklaroi Vujanoviç.

”Qytetarët tanë e dinë se zgjedhjet e fundit parlamentare ishin edhe prononcim për NATO-n. Dhe, me rastin e këtyre zgjedhjeve është ngritur aktakuzë për aktivitete terroriste të cilat ishin planifikuar në ditën e zgjedhjeve dhe për aksionin terrorist që duhej të ndryshonte vullnetin e qytetarëve dhe të konstituonte Parlamentin, që në përbërjen e vet do të ishte kundër NATO-s”, theksoi ai.

”Në kushte të tilla, është e dukshme se nuk ka nevojë për referendum”, tha Vujanoviç.

Ai shtoi se referendumi është i panevojshëm dhe se do të ishte sfidë e re mbi sigurinë, rrezik i ri dhe aktivitet i panevojshëm.

Vujanoviç tha se nuk pret trazira, të premten, kur më 28 prill në Cetinjë, deputetët do të votojnë për Protokollin e Anëtarësimit të Malit të Zi në NATO.

Back to top button