Vulin kërcënon: Hapi i parë drejt përfshirjes së Serbisë në luftë në Kosovë

Ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, ka vazhduar me deklaratat kërcënuese e fyese ndaj shqiptarëve e Kosovës.
Pas suspendimit të gjyqtares serbe nga Mitrovica, Vulin ka reaguar duke thënë se “është hapi i parë drejt luftës mes dy shteteve”.
Ai e ka quajtur “provokim të përmasave të mëdha” suspendimin e gjyqtares serbe nga Mitrovica që mori pjesë në takim me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq, të martën në Beograd, sa që ka thënë se është një hap drejt përfshirjes së vendit të tij në luftë në Kosovë apo në konflikt siç e ka quajtur ai.
“Ky është hapi i parë drejt përfshirjes së Serbisë në konfliktet e armatosura në Kosovë, të cilat shqiptarët padyshim po i përgatisin. Nëse Bashkimi Evropian, i cili është sponsor i Marrëveshjes së Brukselit, nuk thirr takim në Bruksel dhe ndalon çdo lloj dhune kundër serbëve në Kosovë, atëherë me të drejtë mund të themi se sulmi i Kurtit nuk erdhi nga koka e tij e helmuar me urrejtje”, ka thënë Vulin, përcjell “B92”.
Më parë kishte reaguar edhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq i cili ka deklaruar se kryetarja e Gjykatës Themelore të Mitrovicës, Lilana Stevanoviq, është suspenduar me kërkesë të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Ai shtoi se të premten, më 25 mars, pritet të shkarkohen “të gjithë komandantët dhe policët serbë” që morën pjesë në një takim të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, që u mbajt në Beograd më 22 mars.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës njoftoi më 24 mars se ka suspenduar Stevanoviqin, por institucionet e Kosovës nuk kanë konfirmuar se suspendimi i saj ka ardhur pasi ajo ka marrë pjesë në takimin me Vuçiqin në Beograd./21Media

Back to top button