Vulin për Masakrën e Reçakut: Gënjeshtër e madhe dhe një falsifikim i tmerrshëm

Ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Aleksandar Vulin, ka deklaruar se “masakra e supozuar” ndaj civilëve shqiptarë në fshatin Reçak në Kosovë, më 1999, ka qenë “një gënjeshtër e madhe dhe një falsifikim i tmerrshëm”.
Vulin, pas një vizite në një lokacion afër Nishit, ku po bëhen xhirime të një seriali për ngjarjet në fshatin Reçak, ka thënë se “pretendimi për masakrën është një fyerje e madhe për mbarë njerëzimin”.
Masakra e Reçakut, në të cilën forcat serbe kanë vrarë 45 civilë shqiptarë në janar të vitit 1999, ka qenë një nga momentet vendimtare për nisjen e bombardimeve të NATO-s kundër caqeve të ushtrisë serbe, më 24 mars, 1999.
BE kërkon që të mos mohohet Masakra e Reçakut
Duke komentuar deklaratat e Vullinit, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha për Radion Evropa e Lirë tha se nuk ka vend për mohimin e Masakrës së Reçakut.
“Ajo që ndodhi në Reçak të Kosovës dhe mizoritë e kryera atje në janar të vitit 1999 janë të dokumentuara mirë”, tha Stano për Radion Evropa e Lirë.
Stano tha se modifikimi i ngjarjeve që ndodhën në Reçak të Shtimes, është në kundërshtim me vlerat e Bashkimit Evropian dhe projektin e integrimit të Ballkanit Perëndimor.
“E ritheksojmë se nuk ka vend për të mohuar apo nënvlerësuar atë që ndodhi në Reçak”, tha Stano.
Stano shtoi se BE-ja u bën thirrje autoriteteve në të gjithë rajonin që të punojnë për një vlerësim të sinqertë dhe të vërtetë të së kaluarës, pasi sipas tij, rajoni ka nevojë për pajtim, stabilitet dhe normalizim të marrëdhënieve.
Pas masakrës së Reçakut, kreu i atëhershëm i misionit vëzhgues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, William Walker, i cili ka vizituar vendin ku ka ndodhur masakra, ka deklaruar se aty ka ndodhur “krim kundër njerëzimit”.
Kjo nuk është hera e parë që Vullin mohon masakrën e Reçakut. Autoritetet në Serbi, që udhëhiqen nga presidenti Alleksandar Vuçiq, këtë masakër e kanë cilësuar si “krim të fabrikuar”.
Masakra e Reçakut ka qenë dhe pjesë e aktakuzës së ngritur nga Gjykata e Hagës kundër presidentit të atëhershëm të ish-Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, dhe disa zyrtarëve të tjerë serbë.
Megjithatë, gjyqi është ndërprerë pas vdekjes së Millosheviqit dhe asnjë nga të akuzuarit e tjerë nuk janë dënuar për krimet e kryera në Reçak.
Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë dhe Radio Televizioni i Serbisë janë në një bashkëprodhim të një seriali me gjashtë episode të quajtur “Dosja e Kosovës”, i cili, siç është paralajmëruar, trajton “kronologjinë e ngjarjeve dhe fatin e civilëve dhe policisë në Kosovë” nga viti 1998 deri më 2001./rel

Back to top button