​Vërshimet, situatë më e qetë në Pejë

Lajm i përditësuar

Pikat kryesore të Lajmit
  • ​Vërshimet, situatë më e qetë në Pejë
  • ​Vërshimet, evakuohen pesë familje në Gjakovë
  • ​Vërshimet, evakuohen pesë familje në Gjakovë
  • Vërshimet në Klinë, disa restorante nën ujë te “Guri i Zi”
  • Buzhala: Vërshimet kanë shkaktuar dëme në furnizimin me energji elektrike
  • ​Të reshurat e shiut vështirësojnë qarkullimin në disa vendbanime në Klinë
  • Hyseni: Preventiva e kujdesi evitojnë vërshimet
  • Vushtrria ngrit gatishmërinë e emergjencës

(Lajm i përditësuar)

​Vërshimet, situatë më e qetë në Pejë

Për dallim nga dje në Pejë situata është me qetë dhe ka rënie të nivelit të ujit në lumin Lumbardhë.

Në këtë komunë kryesisht janë evidentuar dëme materiale për të cilët tashmë komuna e Pejës ka themeluar një Komision për vlerësim të dëmeve të shkaktuara nga vërshimet e djeshme.

Udhëheqësi i sektorit për siguri dhe emergjenca në kuadër të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim në Pejë, Gani Krasniqi tha se falë investimeve që janë bërë në infrastrukturë qyteti i Pejës ka shpëtuar nga përmbytje më të mëdha. Ai tha se janë bërë dhjetëra intervenime në disa shtëpi pasi ka pasur vërshime të bodrumeve dhe oborreve, por për evakuime fatmirësisht nuk ka pasur nevojë.

“Investimet e duhura në vitet paraprake, sikur të mos kishin qenë ato, ne do të kishim një situatë tepër të keqe për dëmet që do të kishin ndodhur në komunën e Pejës. Prandaj falë investimeve që ka bërë komuna për parandalim sidomos në Lumin e Bardhë… Përkeqësimi i motit dhe reshjet e bëjnë të veten kemi pasur intervenime në dhjetëra familje, shërbimi i zjarrfikësve ka qenë i vazhdueshëm dhe dëmet kanë qenë të konsiderueshme për arsye se shumica e qytetarëve kanë pësuar duke iu futur uji brenda në bodrumet, pronat e tyre dhe shtëpitë e banimit… Kemi dëme edhe në ura dhe infrastrukturë, te kanalet e hapura që nuk kanë qenë të trajtuara ka pasur dëme sipërfaqësore dhe dëme që janë pritur për një situatë të tillë”, tha ai.

Krasniqi tha se tani situata është më e qetë, por kërkon me shumë kujdes nga banorët që të mos hedhin mbeturina në hapësira të rrjedhës së lumit.

“Situata është e qetë. Për shkak të pakujdesisë së qytetarëve për shkak të hedhjes së mbeturinave në vende jo të duhura, vijmë te situata të tilla emergjente… Aktualisht të rrezikuar janë shumë pjesë të qytetit, por ato që frekuentojnë zonat e lumit Drini i Bardh dhe zona e “Asllan Çeshmes”, “Xhemajl Kadës” kemi edhe vendbanime rurale që kemi pasur dëme… Nuk ka qenë e nevojshme. Disa evakuime janë bërë kur qytetarët vetvetiu e kanë parë rrezikun me gjithë dëmtimin në pronat e tyre, por evakuime serioze nuk ka pasur”, theksoi ai.

Se, situata sot është me e qetë në komunën e Pejës sa i takon ujërave e tha edhe zëdhënësi i Komunës, Faik Zekaj i cili u shpreh se ka rënie të nivelit të ujit në Lumëbardhë. Zekaj tha se ka dëme materiale për të cilat tashmë është krijuar edhe një komision për vlerësimin e dëmeve.

“Rrjedha e lumit është qetësuar. Ka rënie të ujit në lumë… Për momentin sot është e qetë për shkak se janë ndalur edhe reshjet atmosferike. Gjatë ditës së djeshme kemi dalë në terren me tri ekipe… Gjendja ka qenë e rrezikuar për vërshime me disa përjashtime të dy-tri shtëpive dhe pjesa tjetër që ka marrë livadhe ose oborre të shtëpive, por nuk ka pasur dëme të shtëpive apo në njerëz që është kryesorja… Kryetari ka formuar një komision për vlerësimin e dëmeve dhe pastaj situatën do ta kemi më të saktë të vlerësimit të dëmeve”, tha ai.

​Vërshimet, evakuohen pesë familje në Gjakovë

Ndonëse lumenjtë Krena, Erenik dhe Llukas të cilët përshkojnë komunën e Gjakovës kanë arritur pikat kritike për shkak të reshjeve të dendura të shiut, gjendja është stabile dhe nën kontroll. Deri në këto momente në këtë komunë janë evakuuar pesë familje, ndërsa lumenjtë kanë vërshuar disa rrugë dhe ura.

Udhëheqësi i sektorit për siguri dhe emergjenca në kuadër të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim në Gjakovë, Besim Meqa tha se gjendja e lumenjve që përshkojnë këtë komunë është më stabile. Sipas tij ndonëse dje lumenjtë, Krena, Erenik, Llukas kanë arritur pikat kritike, sot vërehet rënie e lehtë e nivelit të ujit.

“Gjatë gjithë kohës jemi të mobilizuar në monitorimin dhe vlerësimin e gjendjes aktuale… Këtu në Gjakovë dje kemi pas një situatë pak më kritike meqenëse lumenjtë qe përshkojnë territorin e komunës së Gjakovës si Erenik, Krena dhe lumi Llukas kanë arritur pikat kritike, dje ka qenë një moment që ka mundur edhe të përkeqësohet gjendja, por fatmirësisht intensiteti i ujit ka rënë në ato kuota dhe nuk i ka tejkaluar parashikimet tona dhe kemi pas situatë relativisht stabile… Sot lumenjtë akoma janë në pikët kritike ka një rënie të lehtë shihet është evidente në bazë të vlerësimeve në terren dhe monitorimit shohim që ka ulje të nivelit, por nuk është ndonjë ulje substanciale… Nëse kthehen të reshurat me intensitet çfarë kanë qenë dje, atëherë bazën e ka shumë të fortë për të dalë nga shtrati lumenjtë… Sot është shumë më stabile për shkak se intensiteti ka rënë në bazë të parametrave që kemi bërë një vlerësim besoj që çdo gjë do të jetë në rregull”, tha ai.

Meqa tregoi se nga dje kanë pas më shumë vërshime të rrugëve dhe disa urave, ndërsa janë evakuuar edhe pesë familje në lagjen Bretkoc i Ulët.

“Kemi pasur telashe në disa pika kryesisht vërshime të rrugëve, vërshime të urave në disa lokacione, shembull lumi Erenik që ka vërshuar urën në dalje të qytetit blloku i ri në drejtim të Shkukzës, rruga Bujaroka që shkon në drejtim të Tabakut, Ereniku ka vërshuar, si dhe kemi bërë evakuimin e disa banorëve në lagjen Brekoc i Ulët në rrugën “Shote Galica”, ku kemi evakuuar 5-6 familje. Çdo gjë e kemi nën kontroll për momentin dhe se komuna nuk ka pasur arsye për të ngritur në një nivel më të lartë të gatishmërisë pasi të gjitha janë të menaxhuara”, tha ai për KP.

Udhëheqësi i sektorit për siguri dhe emergjenca në kuadër të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim në Gjakovë, Besim Meqa paralajmëroi se nëse vazhdojnë reshjet e shiut me intensitetin e ditës së djeshme komuna e Gjakovës rrezikohet nga përkeqësim i situatës me vërshime.

“Parashikimet e motit janë se do të ketë reshje prapë dhe mund të ketë rritje të nivelit të ujërave. Ne jemi në gatishmëri me të gjitha kapacitetet reaguese komunale”, tha Meqa.

Komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve në komunën e Gjakovës, Xhevdet Brahimaj u shpreh se deri më tani ekipet e zjarrfikësve kanë intervenuar në katër raste, përfshirë ndërhyrjen e largimit të ujit në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, Shkollën e Mjekësisë dhe evakuimin e dy familjeve.

Brahimaj tregoi se aktualisht kanë ekipe dhe pajisje të mjaftueshme për të menaxhuar situatën.

“Jemi në gatishmëri që 24 orë gjendja në Gjakovë nuk është edhe fortë e tensionuar. Kemi pasur katër raste intervenimi. Një rast kemi pasur ujë në ambulantë, shkollë dhe në Biskotë i kemi tërhequr dy familje… Ne si njësi kemi ekipe të mjaftueshme sido që të jetë duke e parë situatën jemi mjaftueshëm”, tha ai.

Rrjedha e lumit Krena në rrugën “Ahmet Korenica”, është më e rënduar dhe kështu po rrezikon daljen nga shtrati. Edhe banorët në këtë lagje ndihen të rrezikuar nga vërshimet të cilët tashmë uji ka hyrë në oborret dhe bodrumet e shtëpive.

Hasan Ukaj, banor, tha se kjo lagje është shumë e rrezikuar pasi komuna nuk po intervenon në urën, e cila po shkakton telashe sa herë që ka reshje të mëdha.

Ukaj tregoi se tashmë shtëpitë dhe oborret e kësaj lagjeje janë të mbushura me ujë.

“Jemi të rrezikuar shumë për shkak të lumit Krena. Në këtë lagje jemi diku 15 shtëpi shumë të rrezikuara. Kemi bërë disa ankesa në komunë disa herë, por askush nuk na ka marrë parasysh….E kemi një urë atje. Krejt problemin e bën ura, ka mundësi të shpëtojmë nëse intervenon pak komuna, por komuna nuk është duke i interesuar asgjë…Shumë keq (e kemi gjendjen). Gjendja është shumë e keqe për momentin. Gjendja është shumë e keqe, shihet uji, vërshimet kanë hyrë nëpër bodrume, shtëpi e nëpër oborre. Gjendja është shumë e keqe jemi të rrezikuar me fëmijë e me të gjithë”, u shpreh Ukaj.

Edhe kryefamiljari i familjes 17-anëtarëshe Bajrami, Muhamet Bajrami tha se që nga dje po mundohen vetë t’i shpëtojnë pajisjet, pasi që uji tashmë ka hyrë në bodrumet dhe oborrin e shtëpisë. Ai thotë se fëmijët i kanë largua nga shtëpia.

“Katastrofë jemi me ujë prej dje. Komuna nuk na ndihmon që të largohemi… Jemi të rrezikuar qe gati 10 vjet… Uji na ka hyrë brenda, i kemi largua me shtretër, me të gjitha, makinat e larjes… Deri më tani nuk kam parë askënd vetëm policia ka ardhur mbrëmë dhe tha nëse ka ndonjë rrezikim lajmëroni”, tha ai.

Ndryshe, reshjet e shiut dhe dalja e lumenjve nga shtrati ka ndikuar që të ketë vërshime edhe në disa fshatra të Vushtrrisë, Istogut e Pejës.

Vërshimet në Klinë, disa restorante nën ujë te “Guri i Zi”

Komuna e Klinës, është në mesin e qyteteve që është prekur nga vërshimet si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut që kanë përfshirë Kosovën të dielën.

Situatë e rëndë paraqitet te disa restauronte, ku thuhet se ka dalë nga shtrati të lumit Drini i Bardhë.

Në pamje shihet se në këtë zonë ka sasi të madhe e ujit të grumbulluar.

 

Buzhala: Vërshimet kanë shkaktuar dëme në furnizimin me energji elektrike

Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, deklaroi se vërshimet në Kosovë kanë shkaktuar probleme për furnizim me energjinë elektrike, por sipas tij, situatë më e rëndë është në Pejë dhe në Istog.

Ai tha se shumica dërrmuese e konsumatorëve janë të furnizuar me energji, përpos disa prej tyre ku dëmet janë më të mëdha.

“Situata ka qenë më e rëndë dje, situatë më e rëndë është në Pejë dhe Istog. Sot situata është më e qetë, dhjetëra ekipe kanë qenë në terren duke sanuar dëmet. 99 për qind e konsumatorëve sot janë të furnizuar me energji elektrike. Një pjesë e vogël e konsumatorëve e Pejës nuk kanë energji elektrike, ka shtylla të dëmtuar, përçues të dëmtuar”, deklaroi ai.

​Të reshurat e shiut vështirësojnë qarkullimin në disa vendbanime në Klinë

Komuna e Klinës ka njoftuar se ka rritje në rrjedhën e lumit “Klina”, ku edhe gjendja është më problematike mbi urat e këtij lumi në fshatrat Shtaricë, Gjurgjevik i Madh dhe Pogragjë, dhe rritja e nivelit të reshjeve mund të sjellë deri në mbylljen e këtyre rrugëve. Po ashtu, lumi “Mirusha” ka filluar të dalë nga shtrati, duke prekur disa biznese dhe familje nga vërshimet.

Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, bashkë me drejtorin e Shërbimeve Publike, Qendrim Millaku, mbrëmë deri në orët e vona kanë vizituar disa fshatra, ku kanë parë nga afër situatën e krijuar pas të reshurave të shiut.

“Si institucione lokale, në bashkëpunim me shërbimin e emergjencave dhe zjarrfikësit jemi duke u përpjekur maksimalisht në mënyrë që gjendja mos të përkeqësohet. Edhe në këto momente jemi duke vazhduar vizitat në disa fshatra për të parë gjendjen e krijuar. Apelojmë qytetarët për rritje të kujdesit gjatë qarkullimit me vetura, ndërsa ata që kanë nevojë për intervenim duhet të lajmërojnë shërbimin e zjarrfikësve, policinë dhe Drejtorinë e Shërbimeve Publike dhe Emergjente”, ka thënë Elezaj gjatë këtyre vizitave.

Hyseni: Preventiva e kujdesi evitojnë vërshimet

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka thënë se në kohën kur një pjesë e madhe e vendit po përballet me vërshime, si institucione kanë ndërmarrë masat e nevojshme për evitimin e dëmeve të shkaktuara nga to.

Ai ka theksuar se në verën e këtij viti Komuna ka pastruar shtretërit e lumenjve dhe pikat që kanë paraqitur rreziqe.

“Ndërkohë dje e sot ishim në terren për të ndërmarrë veprime parandaluese që këtë situatë ta kalojmë sa më lehtë dhe me sa më pak dëme. Lus të gjithë qytetarët që për çdo vështirësi të kontaktoni Qendrat Operative Emergjente përmes numrit 112, të cilat janë në gjendje detyre dhe gatishmërie”, ka thënë kryetari Hyseni.

Vushtrria ngrit gatishmërinë e emergjencës

Kryetari i Vushtrisë, Ferit Idrizi, ka nxjerrë vendim për ngritjen e gatishmërisë emergjente, pas situatës së krijuar dje nga reshjet e shiut.

Idrizi njoftimin e ka bërë në rrjetin social Facebook.

“Për të përballuar situatën emergjente në të cilën ndodhemi, kam nxjerr vendim për: Ngritjen e Gatishmërisë Emergjente dhe vendim për formim të Shtabit për Gatishmërinë Emergjente”, ka shkruar Idrizi./21Media

Artikuj të ngjashëm

Back to top button
close button