VV: Po bëjmë përgatitjet e duhura të garojmë të vetme në zgjedhje

VV ka treguar se kanë pasur kërkesa nga LDK/AKR për takim gjatë ditës së sotme

Vetëvendosje  ka treguar se kanë pasur kërkesa për takim nga koalicioni LDK/AKR. Po ashtu  Vetëvendosje ka treguar se  janë bërë përgatitjet që në zgjedhjet e 11 qershorit do të garoj e vetme.

“Lëvizja VETËVENDOSJE! sot ka mbajtur mbledhjen e Kryesisë në të cilën janë diskutuar përgatitjet për zgjedhjet e 11 qershorit dhe përgatitjet për mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes e cila mbahet nesër, e ku do të votohet edhe lista e kandidatëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! për këto zgjedhje. Tanimë, afati për koalicione ka përfunduar dhe Lëvizja është duke bërë përgatitjet e duhura që në këto zgjedhje të garojë e vetme”, thuhet në njoftimin e tyre.

Po ashtu në njoftim thuhet se Vetëvendosje gjatë ditës së sotme ka pranuar dhjetëra kërkesa për takim nga koalicioni LDK/AKR.

“Edhe pse jemi në orët e fundit para dorëzimit të listave, kryesia e Lëvizjes vendosi që t’i pranojë në takim”, thuhet në njoftimin e tyre.

“Programi i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe konsistenca politike e qëndrimeve dhe veprimeve na bëjnë ne subjektin më të besuar për transformim të Republikës, me luftim të krimit e progres shoqëror. Të gjithë ata që janë të gatshëm t’i bashkohen kësaj beteje për ndryshim rrënjësor jemi të gatshëm t’i presim në takim”, thuhet në njoftimin e tyre./21Media

Back to top button