VV thotë se s’ka arritur marrëveshje me LDK-në në Junik

Besart Tofaj nga Dega e Lëvizjes Vetëvendosje në Junik, sonte nuk ka deklaruar se ka arritur marrëveshje me LDK-në për bashkëqeverisje në këtë komunë, në garën e balotazhit më 14 nëntor, derisa kandidati i LDK-së në Junik, Ruzhdi Shehu, më herët ka bërë të ditur se është arritur marrëveshje.
Tofaj ka pranuar se është takuar me përfaqësues të LDK-së, me ç’rast ka potencuar se është shprehur vullneti për bashkëpunim në balotazh, por ka theksuar se formalizimi i marrëveshjes do të marrë kahje pas miratimit nga organet qëndrore të VV-së.
“Me autorizimin e koordinatorit të Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe grupit punues në Junik, sot pata një takim me përfaqësuesit e subjektit politik të LDK-së dega në Junik. Në këtë takim u shpreh vullneti për bashkëpunim në balotazh. Pra, për një marrëveshje të mundshme në raundin e dytë të garës për kryetar komune. Sigurisht që implementimi e formalizimi i kësaj marrëveshje do të marrë kahje vetëm pas vlerësimit e miratimit nga organet qëndrore vendimmarrëse të subjektit tonë politik. Juniku meriton ndryshimin!”, ka shkruar Tofaj në facebook.
Ndërsa, Ruzhdi Shehu nga LDK ka potencuar se pas disa ditësh do ta publikojnë programin e përbashkët me VV-në.
“LDK Dega në Junik dhe LVV Qendra në Junik, kanë nënshkruar marëveshje të bashkëpunimit mes tyre. Ditëve në vijim do të publikojmë edhe programin e përbashkët qeverisës 2022-2025, të cilin do e realizojmë deri në fund brenda mandatit tonë të parë qeverisës. Ky moment është historik për Junikun sepse fitorja jonë me 14 nëntor dhe ndryshimi pas 12 viteve në Junik është i pandalshëm. Të bashkuar me Vetëvendosjen në Junik, tanimë kemi shumicën e anëtarëve në Kuvendin Komunal të Junikut (9 nga 15 ose 60% e ulëseve në Kuvendin e Junikut). Padyshim që do të kemi edhe përkrahjen e nevojshme nga Qeveria e Kosovës për të realizuar projektet tona zhvillimore për Junikun. Kur kësaj i shtojmë edhe mbështetjen pa rezervë që kemi nga mërgata e Junikut, nuk mbetet asnë dilemë se me 14 nëntor do të konfirmohet fitorja jonë në Komunën e Junikut”, ka shkruar Shehu në Facebook.
Ndryshe, Ruzhdi Shehu i LDK-së do ta zhvillojë garën e balotazhit kundër kryetarit aktual dhe kandidatit të AAK-së, Agron Kuçit./21Media

Back to top button