Wahl: Të rinjtë duhet të fuqizohen, janë zgjidhja kundër dhunës në baza gjinore

“Të rinjtë duhet të fuqizohen, ju duhet ta kuptoni se ju e keni mundësinë për ta ndryshuar botën”

Zëvendësshefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Killian Wahl, ka deklaruar se ndikimi i të rinjve në botë është duke u rritur, derisa ka bërë ftesë që të gjithë të punojnë për fuqizimin e të rinjve.

Këto komente Wahl i ka bërë gjatë prezantimit të aktiviteteve që misioni i OSBE-së ka bërë gjatë vitit 2019 me të rinj. Ai tha se ndryshimi i shoqërisë vjen nga të rinjtë, për çka edhe tha se fuqizimi i tyre do të ndikojë për krijimin e një bote më të mirë.

“42 përqind e popullatës së botës është nën moshën 25 vjeçe, në Kosovë kjo shifër madje është 53 përqind. Të rinjtë janë në fokus të politikës, pavarësisht a duan ta pranojnë të gjithë këtë apo jo dhe e ardhmja iu takon juve, ju takon të rinjve, burrave dhe grave që janë lider sot dhe bota në fakt qëndron në duart tuaja. Ndikimi i të rinjve është duke u rritur dhe këtë e kemi pa kudo që shikoni mediat globale, e dini se çka po ndodh në nivel global dhe se si të rinjtë kontribuojnë dhe shtyjnë këtë ndryshim për të mirë. Ndryshimi i vërtetë në shoqëri vjen nga ju, nga të rinjtë e mençur, të talentuar, që kanë iniciativë dhe energjinë për ta formësuar botën ashtu siç ju mendoni se duhet të jetë, qoftë fusha e ndryshimit klimatik, ekonomia, paqja dhe siguria. Rinia sot është në qendër të të gjithave, por përkundër këtij fakti mese gjysma e të rinjve në nivel global besojnë se zëri i tyre nuk po dëgjohet, kështu që hajde ta ndryshojmë. Të rinjtë duhet të fuqizohen, ju duhet ta kuptoni se ju e keni mundësinë për ta ndryshuar botën”, tha ai.

Wahl tha se të rinjtë kanë rol kyç për të ndryshuar sjelljen e popullatës sa i përket dhunës në baza gjinore. “Mbi 50 përqind e grave kanë përjetuar dhunë fizike, seksuale apo intime në duart e partnerëve intim që nga mosha 15 vjeçare. Ky është një fenomen global dhe është diçka që duhet ta ndryshojmë në nivel global. Dhuna ndaj gruas është një prej shkeljeve më të përhapura të të drejtave të njeriut që përshkon gjenerata të tëra, është një formë e dhunës në baza gjinore që parandalon shumë gra nga pjesëmarrja efektive në jetën politike, publike dhe në shoqëri. Çdo ndryshim shoqëror duhet të jetë barabartë përfshirës dhe ta kuptojë pabarazinë e vazhdueshme që ekziston në lidhje me gjininë. Nëse ndryshimi do të ndodh, nuk mund të vazhdojmë me modelin e njëjtë të punës, duhet të ketë barazi të plotë mes burrave dhe grave”, tha ai.

Jona Jaha nga zyra për Planifikim Strategjik në Zyrë e kryeministrit, tha se në të gjitha institucionet publike përfaqësimi i grave është shumë më i ulët. Ndërsa deklaroi se në parandalimin e dhunës në baza gjinore duhet një bashkëpunim i gjithë shoqërisë. “Në të gjitha institucionet publike vendimmarrëse përfaqësimi i grave është shumë i ulët dhe fatkeqësisht unë e shoh atë çdo ditë gjatë punës time. Çka më pengon është se kemi shumë vajza, gra të reja të cilat janë shumë kompetente dhe kanë mundësi me ofrua për temat madhore diskutime qoftë shëndetësi, ekonomi, edukim, qoftë reforma të administratës publike, kanë shumë ide, shumë kapacitet, por janë shumë shpesh të diskriminuara dhe të paragjykuara për shkak të gjinisë. Dhuna në bazë të gjinisë më së miri kish mujt me u ndalua nëse punojnë në parandalimin e saj. Është një luftë që kërkon shumë përpjekje prej krejt shoqërisë”, tha ajo.

Ndërkaq, drejtoresha e Qendrës Rinore në Obiliq, Zelushe Kelmendi ka treguar një rast të dhunës në familje, derisa potencoi se moslajmërimi i dhunës nuk është zgjidhje. “Fillimisht viktima nuk donte të raportohej rasti, sepse ishte lidhja baba dhe vajza, ajo ishte pak e rëndë për të me e paraqitë si rast babain dhe për ata hezitonte me e paraqitë si rast. U munduam në atë mënyrën tonë që mos ta dëmtojmë atë dhe prindin e saj, por e pamë se ai nuk u zmbrapste nga ajo dhuna psikike jo fizike dhe vendosëm që  ajo të shkojë përmes organeve të sigurisë…Për shkak të paragjykimeve fetare dhe ajo është mbuluar në fakt, ai e ka ndaluar që të mos del jashtë, nuk dua me të pa dikush që je mbuluar. Ajo për dy muaj ka qëndruar brenda shtëpisë pa dal asnjëherë jashtë, kur e kemi vizituar ajo ka pasur dy muaj që nuk ka dal jashtë”, tha ajo.

Në anën tjetër, Isidora Smigiq, zyrtare e politikave në NALED në Beograd, tha se dhuna në bazë gjinore nuk njeh kufij dhe se në vendet e Evropës është numri më i madh i rasteve të dhunës në baza gjinore. “Dhuna në baza gjinore nuk njeh kufij dhe neve jetojmë në një rajon të botës kur shikoni statistikat ka numrin më të lartë të rasteve të dhunës në bazë gjinore. Ne duhet të mendojmë si të fillojmë ndryshimin e kulturës dhe a është diçka nëse dikush na bënë një shaka ne në vend që të qeshim a do të ishte më mirë të reagonim më ndryshe dhe të fillojmë të mendojmë se a është diçka që duhet ta tolerojmë”, tha ajo.

Në këtë konferencë janë prezantuar aktivitetet që misioni i OSBE-së në Kosovë ka organizuar gjatë vitit 2019 me të rinj, siç janë Akademia e OSBE-së për Dialog, Deklarata Ndër-Komunale për Dialog ndërmjet Komuniteteve, si dhe Lojërat Mini-Olimpike për Njerëz me Nevoja të Veçanta, të cilat kanë sjellë së bashku të rinj nga komunitete të ndryshme.

Back to top button