Xhafer Gashi: Asnjë qytetar nuk do të mbetet pa përkrahje institucionale

 

Komisioni për vlerësimin e dëmeve në bujqësi në Komunën e Obiliqit ka filluar sot punën për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara si pasojë e vërshimeve të fundit në këtë komunë.

Në një njoftim për media bëhet e ditur se Komuna e Obiliqit do të shfrytëzojë të gjitha mundësitë në mënyrë që secilit qytetar të prekur nga kjo fatkeqësi natyrore të ndihmohet, ku përmes Drejtorisë së Bujqësisë ka kërkuar mbështetje nga Ministria e Bujqësisë.

Vërshimet e dy ditëve të kaluara kanë shkaktuar dëme edhe në infrastrukturën rrugore dhe ndriçimin publik dhe ekipet emergjente nën udhëheqjen e ushtrueses së detyrës së drejtoreshës së DSHPE-së, Fitore Hashani, po qëndrojnë në terren për të identifikuar dëmet dhe sanimin e tyre në afat sa më të shpejtë kohor.

Kryetari i Obiliqit, Xhafer Gashi ka falënderuar për angazhimin komisionet e formuara në këtë situatë emergjente, por njëkohësisht, ai ka shprehur mirënjohje për të gjithë qytetarëve të zonave të prekura nga vërshimet për bashkëpunimin.

Ai po ashtu ka siguruar qytetarët se asnjë qytetar nuk do të mbetet pa përkrahje institucionale.

Back to top button