Xhaferi seancën e Kuvendit e nisi në shqip, reagon VMRO-DPMNE

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë Talat Xhaferi sot seancën plenare e nisi në shqip

Kushtet teknike e kishin penguar Xhaferin ta nisë në shqip që në ditën e parë pas publikimit të ligjit në Gazetën Zyrtare, e siç duket tani më edhe kjo çështje është zgjidhur.

Por, menjëherë reaguan deputet e VMRO-DPMNE-së. Ata kundërshtuan këtë sjellje, pasi sipas tyre Xhaferi po e thyen rregulloren e Kuvendit.

“Këtë që e bëni sot është në kundërshtim me Nenin 3, Paragraf 1 të Rregullores për punën e Kuvendit RM-së  i cili thotë: Në punën e Kuvendit gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik”, ka thënë Nikolla Micevski, deputet i VMRO-DPMNE-së.

Xhaferi u desh që tua bëjë të qartë edhe njëherë deputetëve të VMRO-DPMNE-së se Ligji për  përdorimin e gjuhëve tashmë është në fuqi.

“Mendoj se keni të qartë se ligji është në fuqi dhe zbatohet ligji për përdorimin e gjuhëve. E keni parasysh se edhe rregullorja edhe ligje të tjera që kanë të bëjnë me përdorimin e do të duhet të harmonizohen me ligjin për gjuhët në një afat prej një viti.  Por ajo nuk nënkupton se drejta për të përdorur gjuhën është e pezulluar. Unë pata durim të pres një vit nga miratimi i ligjit, në janar 2018 deri në janar të 2019që kryetari i shtetit Ivanov, të ndërgjegjësohet dhe të kuptoj se nuk mund ta bllokoj punën e kuvendit dhe vullnetin e punës së shumicës parlamentare”, ka thënë Talat Xhaferi, Kryetar i kuvendit RM-së.

Në këtë debat ndërhyri edhe koordinatori i LSDM-së Jovan Mitrevski. Ai tha se koncepti i kësaj qeverie dhe shumicës parlamentare është ndërtimi i një shoqërie për të gjithë.

“Gjuha si një nga shtyllat e këtij koncepti, e kësaj shoqërie, shërben për t’u kuptuar mes vete. Gjuha është përfitimi i të gjithë qytetarëve të RM-së. Për ne, deputetët e shumicës qeverisëse, më shumë rëndësi ka ajo që do ta themi, të sjellim ligje të cilat janë në interes të të gjithë qytetarëve të RM-së, maqedonasve, shqiptarëve, turqve, romëve, sesa në cilën gjuhë do të flasë ndonjë deputetë”, ka thënë Jovan Mitrevski, LSDM-së.

VMRO-DPMNE para disa ditëve dorëzoi në Gjykatën Kushtetuese të Maqedonisë kërkesën për anulimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, që avancon përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe./21Media

Back to top button