Xhaferi takohet me homologun e tij grek Tasullas

 
Kryetari i Kuvendit në Maqedoninë e Veriut, Talat Xhaferi, u takua me Kryetarin e Parlamentit të Republikës së Greqisë, Konstantinos Tasullas, në margjinat e Konferencës së kryetarëve të parlamenteve të vendeve anëtare të Këshillit të Evropës, e cila më 21 dhe 22 tetor mbahet në Athinë.
Xhaferi shprehu kënaqësi që ky takim i parë me kolegun e tij grek realizohet në Athinë, në vitin kur Republika e Greqisë kremton 200 vjetorin e fillimit të luftës për pavarësi.
Në raport me bashkëpunimin parlamentar bilateral, Xhaferi vlerësoi ekzistimin e Grupeve të Bashkëpunimit në dhomat ligjvënëse të dyja vendeve si një bazë e shkëlqyer për zhvillimin e bashkëpunimit të ngushtë bilateral dhe shprehu shpresë se së shpejti, anëtarët e të dy grupeve do të realizojnë takim të përbashkët.
Kryetari Xhaferi sugjeroi se në parlamentin grek akoma nuk janë miratuar ratifikimet me të cilat avancohet bashkëpunimi me Republikën e Maqedonisë së Veriut në më shumë fusha, përfshirë edhe në pjesën e eurointegrimeve dhe kërkoi ratifikimin e tyre sa më të shpejtë me qëllim që të vihen në funksion.
Kryetari Tasullas shprehu kënaqësi të madhe për këtë, siç e quajti, takim të parë të shumëpritur në nivel të kryetarëve të parlamenteve dhe theksoi se kjo konfirmon se marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve përparojnë.
U pajtua se Grupet e Bashkëpunimit duhet ta vendosin dhe zhvillojnë bashkëpunimin parlamentar edhe konkretisht, në vend që ekzistimi i tyre të mbesë vetëm në letër dhe potencoi se parlamenti grek do të përpiqet që përmes mekanizmave të bashkëpunimit që i ka në dispozicion t’i ndihmojë Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut edhe në këmbimin e përvojave në procesin e eurointegrimit./21Media

Back to top button