Xhaka shënon dy gola dhe i thotë lamtumirë Arsenalit
(Lajm i përditësuar)
Xhaka shënon dy gola dhe i thotë lamtumirë Arsenalit
Granit Xhaka i ka dhënë fund në mënyrën më të mirë të mundshme aventurës së tij me Arsenalin.
Reprezentuesi zviceran ka shënuar dy gola kundër Wolverhamptonit në xhiron e fundit të kampionatit anglez, duke konfirmuar edhe njëherë se ai ishte shtylla kryesore e londinezëve në këtë edicion garues ku Arsenali do të jetë nënkampion i Anglisë, raporton KosovaPress.
Xhaka shënoi në minutat 11’ dhe 14’ për të krijuar epërsi të hershme për skuadrën e tij, derisa trajneri Mikel Arteta vendosi ta largojë nga loja në minutën e 75-të, duke i dhënë mundësinë që ai të përshëndetet me tifozët të cilët u ngritën në këmbë për t’i thënë lamtumirë atij.
Sipas informacioneve nga mediat gjermane, Xhaka karrierën e tij do ta vazhdojë tek skuadra gjermane Bayer Leverkusen.
Xhaka starton për Arsenalin në ndeshjen që mund të jetë e fundit për të me këtë klub
Arsenali do të ballafaqohet me Wolverhamptonin në xhiron e fundit të Premier Ligës që starton nga ora 17:30.
Nga minuta e parë do të luajë mesfushori Granit Xhaka dhe kjo mund të jetë ndeshja e fundit për të me skuadrën e Mikel Artetas, përcjellë KosovaPress.
Reprezentuesi zviceran pritet të largohet nga Londra dhe klubi i tij i ardhshëm mund të jetë Bayer Leverkuzen në Gjermani.
Pak orë para kësaj ndeshje, Xhaka postoi në Instagram një fotot me mbishkrimin “Falemnderit Gunners”.
Xhaka ishte njëri nga lojtarët më të rëndësishëm në këtë sezon për Arsenalin që mban pozitën e dytë në tabel.