Ylber në ndërtesën e Qeverisë, Kurti vjen me mesazh

Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës në orët e mbrëmjes është ndriçuar me ngjyrat e flamurit shumëngjyrësh për të shënuar Ditën Ndërkombëtare Kundër Homofobisë, Transfobisë dhe Bifobisë, duke u solidarizuar me personat LGBTIQ+.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti postoi një fotografi të ndërtesës së Qeverisë me flamurin shumëngjyrësh, derisa tha jemi të gjithë të barabartë.
“Sot ne shënojmë #IDAHOT , një ditë që na kujton se jemi të gjithë të barabartë – pavarësisht nga orientimi ynë seksual apo identiteti gjinor. Le të qëndrojmë së bashku kundër padrejtësive dhe paragjykimeve, sot dhe çdo ditë”, ka shkruar Kurti në Twitter.
Neni i parë i Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut deklaron se “Të gjitha qeniet njerëzore lindin të lira dhe të barabarta në dinjitet dhe të drejta”.
Ka ende shumë vende në botë ku ky premtim është larg nga realiteti, madje deri në vitin 1990 homoseksualiteti ishte ende i klasifikuar si çrregullim mendor nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Kjo gjë u ndryshua më në fund më 17 maj 1990.
Për shkak të këtij momenti historik në luftën për barazi dhe dinjitet, si dhe për ta përkujtuar këtë ditë, IDAHOT tani kremtohet çdo vit, më 17 maj./21Media

Back to top button