Ymeri: Telekomi t’i shkëpus edhe kontratat e tjera abuzive

“Ky është lajm i mirë, që duhet përshëndetur”

Deputeti i PSD-së, Visar Ymeri ka bërë të ditur se nuk do të vazhdohet kontrata e Telekomit me Dardafon LLC (e njohur si Z Mobile) e cila skadon nesër.

Ymeri ka kërkuar që numrat në përdorim nga Z-Mobile t’i kthehen menjëherë Telekomit/Vala 900.

“Telekomi t’i shkëpus edhe kontratat e tjera abuzive, 300.000 numrat në përdorim nga Z-Mobile t’i kthehen menjëherë Telekomit/Vala 900. Nuk do të vazhdohet kontrata e Telekomit me Dardafon LLC (e njohur si Z Mobile) e cila skadon nesër. Ky është lajm i mirë, që duhet përshëndetur. Kjo kontratë i ka shkaktuar dëme të mëdha financiare dhe ngarkesa të papërballueshme tekniko-teknologjike Telekomit të Kosovës. Përveç se është dëmtuar kompania më e suksesshme publike e Kosovës, janë dëmtuar edhe abonuesit e saj, pra qytetarët e Kosovës, shërbimet e komunikimeve elektronike, të cilët kanë pësuar një degradim të vërejtshëm”, ka thënë Ymeri.

Ymeri ka potencuar se ky mosvazhdim kontrate, “para së gjithash dhe mbi të gjitha, vjen si rezultat i këmbëngulësisë dhe punës së palodhshme të sindikalistëve të Telekomit, të cilët vetëdijësuan opinionin për dëmet e kontratës dhe që u angazhuan drejtpërdrejt për ta mbrojtur interesin e ndërmarrjes”.

ARKEP duhet menjëherë të vendos që 300 mijë numrat në përdorim të Z Mobile t’i kthehen kompanisë që e ka Autorizimin individual për përdorim të numeracionit, Telekomit të Kosovës në mënyrë që të shfrytëzohen nga Vala 900. Në procesin hetimor parlamentar, në të cilin bashkë me deputetët e të gjitha grupeve parlamentare jemi duke punuar intensivisht prej shkurtit, ku kemi evidentuar dëme të shumta, që i janë shkaktuar Telekomit nga kontrata abuzive, krahas dhe përveç kësaj me Z Mobile. Edhe këto jemi duke i hetuar dhe edhe këto kontrata duhen të shkëputen në mënyrë që Telekomit t’i krijohet hapësirë dhe mundësi financiare për t’u zhvilluar, ristrukturuar e konsoliduar”, ka shkruar Ymeri në Facebook.

Kompania publike, Telekomi i Kosovës është futur në krizë të thellë financiare tani e sa kohë për shkak të borxheve të shumta të akumuluara. Një nga borxhet e Telekomit të Kosovës kap vlerën e më shumë se 25 milionë eurove, që e ka ndaj kompanisë Z-Mobile. Ky borxh ka të bëjë me mospërmbushjen e kontratës nga ana e Telekomit për dhënien e 100 mijë numrave të telefonit dhe shërbimeve të internetit 3G dhe 4G. Kjo kontratë është nënshkruar para dhjetë vjetësh./21Media

Back to top button