Zaev: Linjat e kuqe janë kufizuese, ju fusin në kuti – thelbi qëndron në miqësi

Çështja për marrëdhëniet fqinjësore ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë ishte e hapur tri dekada. Kaluam tri dekada pasiguri për të ardhmen tonë. Tri dekada kujdes serioz për pasojat e padëshirueshme. Tri dekada perspektiva të bllokuara të cilat janë me interes strategjik kyç për vendin tonë, për rajonin dhe strukturat euroatlantike. E ardhmja ishte ide udhëheqëse gjatë gjithë atij procesi. Të dyja palët e pranuan kompromisin si miqësi dhe kujdes për interesat e partnerit tuaj politik nga ana tjetër, si dhe për interesat e juaja vetanake, tha kryeministri Zoran Zaev në paraqitjen e sotme në ceremoninë në Munster në të cilën ai dhe ish-kryeministri grek, Aleksis Cipras do ta marrin Çmimin Ndërkombëtar për Paqe i Vestfalias për vitin 2020.
Ajo miqësi, potencoi Zaevi, ishte e rëndësishme që të krijohet atmosfera në të cilën haptas biseduam për të gjitha çështjet, madje edhe kur dukej se nuk ka zgjidhje.
“Gjatë gjithë procesit, ne insistonim se nuk flasim për linja të kuqe. Thamë se linjat e kuqe janë kufizuese. Linjat e kuqe ju vendosin në kuti. Thamë – ne nuk do ta vendosim procesin në kuti. Kjo është mënyra në të cilën punojnë miqtë. Të përqendruar në zgjidhje. Ndërtimin e urave. Ai është edhe thelbi i Marrëveshjes së Prespës – miqësia! Me këtë Marrëveshje, i dhamë fund kontestit dhe dallimit të gjatë që ngriti mure, që i vështirësoi marrëdhëniet fqinjësore ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, e jo mure”, nënvizoi kryeministri Zaev.
Edhe unë edhe Ciprasi, shtoi Zaevi, jemi plotësisht të vetëdijshëm se e vendosëm karrierën tonë politike në rrezik.
“Ky përcaktim i fuqishëm, gatishmëria që t’i sakrifikojmë karrierat tona politike në emër të së ardhmes na lidhi dhe na priu drejtë procesit. Kur të shihni nga ana tjetër në tavolinën e bisedimeve personalitet i cili është i përqendruar në zgjidhje, personalitet me të cilin i ndani vlerat e njëjta politike, atëherë i keni të gjitha përbërjet e nevojshme për marrëdhënie fqinjësore dhe atmosferë që të arrini zgjidhjen e ndërsjellë të pranueshme për problemin. Edhe më e rëndësishme, ky lloj i lidhjes motivon, shndërrohet në miqësi. Që të dy e vendosëm këtë miqësi në themelet e marrëdhënies së re ndërmjet vendeve tona. Ky është përfitimi më i çmueshëm”, tha Zaev.
Ai foli edhe për anëtarësimin në NATO, në bashkëpunimin rajonal dhe edhe një here theksoi se për Maqedoninë e Veriut nuk eksiton alternativë tjetër, përveç integrimit në BE.
Pas Zaevit foli edhe Ciprasi. Të dy u falënderuan për çmimin.
Krahas përfaqësuesve dhe mysafirëve të lartë, në ceremoni ishin edhe presidenti i Letonisë, Egills Levits, si dhe kyretari i Shoqatës Ekonomike të Vestfalias dhe Lipe, Rajnhard Zinkan./TV21

Back to top button