Zëdhënësi i BE-së: Kurti dhe Vuçiqi e kanë pranuar tekstin e Marrëveshjes
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Peter Stano, ka thënë se të dy liderët, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë pajtuar për të pranuar propozimin e BE-së, dhe se nuk kishte pritje që atë ditë ai tekst të nënshkruhej.
Stano i bëri këto komente duke iu përgjigjur pyetjeve rreth dilemave se a e kanë pranuar apo jo Kosova dhe Serbia marrëveshjen për normalizimin e raporteve në takimin e 27 shkurtit, pasi presidenti i Serbisë, Vuçiq, nuk e ka konfirmuar një gjë të tillë.
Presidenti Vuçiq ka thënë se ai nuk ka dashur ta nënshkruajë pasi aty është pika, e cila kërkon edhe që Serbia të mos kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare,e kjo nënkupton edhe Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
“Nuk kam çka të shtoj, por vetëm të përsëris tekstin e deklaratën që e ka dhënë përfaqëusesi i lartë (Josep) Borrell, me të cilën janë pajtuar të dy liderët. Nuk do të hyjmë në komentime të secilës deklaratë, apo secilit interpretim në rajon rreth asaj se për çfarë janë pajtuar. Kjo është shumë e qartë nga teksti“, ka thënë Stano.
Duke iu referuar refuzimit që ai tekst të nënshkruhet nga palët, ai tha se “nuk ka qenë çështja e nënshkrimit, por diskutimet për propozimin për të cilin u pajtuan të dyja palët, se nuk ka më nevojë për diskutime shtesë rreth këtij propozimi evropian, i cili tash është shndërruar në marrëveshje për rrugën drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë”.
Kryeministri Kurti, të hënën mbrëma, pas takimit, kishte thënë në Bruksel se ai ishte i gatshëm të nënshkruante këtë marrëveshje menjëherë, por presidenti i Serbisë nuk ishte i gatshëm.
Presidenti Vuçiq, ndërkaq, ka thënë në një intervistë në një televizion të Serbisë se ai vërtet nuk ka dashur ta nënshkruajë këtë marrëveshje. Vuçiq ka folur më shumë për planin e implementimit.
Burimet në BE kanë thënë se plani i implementimit mendohet të jetë pjesë përbërëse si aneks i marrëveshjes, prandaj, kur të dakordohet ai plan, do të duhej edhe të nënshkruhet marrëveshja me aneksin si pjesë të saj.
Zëdhënësi i BE-së, Stano, ka thënë se diskutimet për planin e implementimit do të vazhdojnë.
“Po ashtu, kemi thënë qartë se kuptojmë se puna e mëtejme do të vazhdojë kur është fjala për diskutimet për implementim dhe të sigurojmë se do të ketë hapa konkretë në rrugën drejt normalizimit të raporteve“, ka thënë Stano.
Edhe në BE kanë konfirmuar se planifikojnë që takimi i radhës në nivel të lartë, pra mes kryeministrit të Kosovës, Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Vuçiq, të zhvillohet në Ohër në Maqedoninë e Veriut më 18 mars.
Ndërkohë, pritet që i dërguari i posaçëm i BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, të ketë takime në Prishtinë dhe Beograd për t’i përafruar qëndrimet rreth planit të implementimit./Rel