Zelensky dënon të shtënat në Teksas

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, përmes një video në Forumin Ekonomik Botëror në Davos më herët sot, tha se dënon të shtënat në Teksas dhe ngushëlloi familjet e viktimave.
Ndërkohë, pati reagime edhe nga liderët e tjerë botërorë. Presidenti i Francës, Emmanuel Macron i cilësoi të shtënat një sulm frikacak, duke thënë se ai ndan tronditjen dhe pikëllimin me amerikanët.
Justin Trudeau, kryeministër i Kanadasë tha se jeta e një komuniteti të tërë kishte ndryshuar përgjithmonë nga një ngjarje e paimagjinueshme.
Jacinda Ardern, kryeministrja e Zelandës së Re, tha se ajo i shikon ngjarje të tilla jo si një politikane, por si një nënë.
Nëntëmbëdhjetë fëmijë dhe dy të rritur kanë vdekur nga të shtënat në një shkollë fillore në jug të Teksasit, teksa presidenti amerikan, Joe Biden, ka bërë thirrje për kontroll të armëve.
Një sulmues 18-vjeçar hapi zjarr në Shkollën Fillore Robb, në qytetin Uvalde, përpara se të vritej nga forcat e sigurisë./21Media

Back to top button