Zelensky i kërkon BE-së që t’i ndalojë vizat për rusët

Presidenti i Ukrainës ripërsëriti thirrjen e tij për anëtarët e Bashkimit Evropian që të ndalojnë vizat për qytetarët rusë.
Ndërsa një diplomat rus paralajmëroi se çdo veprim i SHBA-së për ta shpallur Rusinë një “shtet sponsor të terrorizmit” mund të rezultojë në ndërprerje të plotë të marrëdhënieve diplomatike.
Kievi dhe Moska vazhdojnë të shkëmbejnë akuza për rreziqet e luftimeve pranë centralit bërthamor të Zaporizhjas, për të cilin Kombet e Bashkuara thanë se duhet të çmilitarizohet zona rreth tij.
Zaporizhja është centrali më i madh bërthamor në Evropë dhe në të gjenden gjashtë nga 15 reaktorët që gjenden në Ukrainë.
Forcat ruse e kanë nën kontroll këtë central që nga ditët e para të pushtimit në Ukrainë.
Vendet perëndimore i kanë bërë thirrje Moskës që të tërheqë forcat e saj nga Zaporizhja.
“Objekti nuk duhet të përdoret si pjesë e ndonjë operacioni ushtarak. Në vend të kësaj, nevojitet një marrëveshje urgjente në një nivel teknik për një perimetër të sigurt të çmilitarizimit për të garantuar sigurinë e zonës”, tha më 12 gusht, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres.
Në fjalimin e tij me video të natës më 12 gusht, Zelensky përsëriti thirrjen e tij për ndalimin e vizave të BE-së për qytetarët rusë, duke thënë se është e nevojshme që blloku të mos bëhet “supermarket”, i hapur për këdo që do të hyjë në BE.
“Duhet të ketë garanci që vrasësit rusë ose bashkëpunëtorët e terrorit shtetëror të mos mund të përdorin viza Shengen”, tha ai.

Back to top button