Zemaj anulon vendimin e djeshëm për rregullimin e çmimit të barnave

 

Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj, ka anuluar vendimin e datës 4 gusht 2020, me të cilin kishte shfuqizuar udhëzimin administrativ 02/2019 për rregullimin e çmimit të produkteve dhe pajisjeve medicinale.

Ai gjatë një takimi me përfaqësues të Odës së Farmacistëve të Kosovës, Shoqatës Farmaceutike të Kosovës, Shoqatës së Distributorëve Farmaceutikë të Kosovës dhe zyrtarë të tjera nga komuniteti farmaceutik, ka thënë se anulimi i udhëzimit është bërë për shkak të pamundësisë së zbatimit të disa dispozitave të tij, të konstatuara nga Komisioni për shqyrtimin e ankesave dhe Departamenti Ligjor i MSH-së.

Për më tepër, Zemaj ka nxjerrë vendim me të cilin ka obliguar sekretarin e Përgjithshëm të MSH-së që të ndërmarrë veprime për plotësim – ndryshimin e udhëzimit administrativ 02/2019 për rregullimin e çmimit të produkteve dhe pajisjeve medicinale.

MSH ka bërë të qartë edhe në takimin e mbajtur me komunitetin farmaceutik, se vendimet e marra janë për shkak të pamundësisë së zbatimit të udhëzimit që do të plotësohet dhe kjo nuk ka të bëjë me interesa të tjera ‘siç po provohet të interpretohet e keqpërdoret nga dikush’.

Ish-ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili, ka deklaruar se ministri aktual i këtij sektori Armend Zemaj, me shfuqizimin e udhëzimit administrativ që rregullon çmimin e barnave në nivel vendi, ka shndërruar veten në një partner të krimit farmaceutik.

Ai në një postim në Facebook dje ka kërkuar urgjentisht nga Qeveria Hoti që të shfuqizojë udhëzimin administrativ të ministrit Zemaj për rregullimin dhe unifikimin e çmimit të barnave, pasi si i tillë është i baras-vlefshëm me një akt kriminal.

Back to top button