Zëvendësdrejtori sfidon drejtorin e ri!

6 kërkesa për ndryshim në arkivin shtetëror në Maqedoni

Zëvendësdrejtori i Arkivit Shtetëror, Muzafer Bislimi, këtë porosi ia çoi një bashkëpartiaku, pjesë e kabinetit qeveritar. Ankesa e tij ka të bëjë me drejtorin e tij të posa zgjedhur Kiril Petrov, sepse nuk po i përfill kërkesat që po ia bënë, dhe po kërkon ndihmë nga lartë. Po del se dy bashkëdrejtuesit e Arkivit Shtetëror, edhe pse zyrat i kanë përballë njëri tjetrit, nuk po mund të gjejnë gjuhë të përbashkët për punën që i pret.

“Nuk ka pasur përleshje fizike, por mund të them lirisht se deri tek ajo mund të vjen! Sepse unë jam i gatshëm për t’i mbrojtur këto pika sepse nuk pranojë të jem zëvendësdrejtor i këtij institucioni vetëm sa për sy e faqe, apo të jem si kukull këtu. Unë kam ardhur me mision që të bëhet avancimi i shqiptarëve, e jo për 15 vjet ata të mbesin në pozitat e njëjta, me asnjë post udhëheqës”, tha Muzafer Bislimi, shkruan TV21.tv

Në kërkesën me shkrim, Bislimi kërkon nga Petrovi që të bëj ndryshime në gashtë pika për funksionim dhe ndarje të përgjegjësisë në drejtimin e Arkivit Shtetëror.

E tëra, sipas tij, lidhet me barazinë mes partnerëve të koalicionit dhe etnive.

Koordinim dhe marrëveshje për çdo çështje që ka të bëj me funksionimin e Arkivit Shtetëror;
Respektimi i parimeve të programit të dyja partive politike, përfaqësim të drejtë e të barabartë;
Avancim horizontal në pozita dhe njohja e fakulteteve atyre që kanë diplomuar;
Në njësinë qendrore të ketë drejtues të sektorit, zv. drejtues dhe drejtues të departamentit;
Ueb faqja të funksionoj edhe në gjuhën shqipe dhe në gjuhën angleze;
Publikimi i dokumenteve edhe në gjuhën shqipe si dhe i librave për historinë e popullit shqiptar.
Në zyrën matanë, drejtori i Arkivit Shtetërorë, Kiril Petrov thotë se që nga dita e tij e parë në detyrë, në zëvendësi Bislimi po i kërkon ndryshime kuadrosh!

Sipas drejtorit në gusht duhet të dal ligji i ri për punëtorët administrativ, dhe aty të sqarohet gjithçka.

“Ai insistonte që këto kërkesa menjëherë të zbatohen, por në mungesë të informacioneve të mjaftueshme, duke pasur parasysh që këtu jam vetëm disa ditë, unë punë të tilla nuk mund të lejoj. Edhe kjo do të zgjidhet me ligjin e ri të gjuhëve, i cili është në procedurë dhe duhet të votohet në Kuvend. Kështu që të gjitha predispozitat ligjore do t’i respektoj, pa asnjë problem”, tha Petrov.

Në Arkivin Shtetërorë janë të punësuar rreth 250 persona, duke përfshirë edhe 9 njësitë rajonale. Drejtori Petrov thotë se përfaqësimi i shqiptarëve në këtë institucion është rreth 20%, por zëvendës i tij Bislimi thotë se ky nuk është përfaqësim adekuat për shkak se shqiptarët nuk janë në postet drejtuese./21Media

Back to top button