Zgjedhje lokale pas pesë muajve?

Shumica propozon tetorin, pakica e gatshme 

Shumica parlamentare kërkon që sa më shpejtë që është e mundur të vazhdohet mandati i qeverisjes komunale, kurse propozon që zgjedhjet të mbahen në gjysmën e parë të muajit tetor. Ky është konkluzioni që doli nga takimi i kryetarit të kuvendit, Talat Xhaferi, me përfaqësuesit e partive politike, shkruan tv21.tv

“Partitë u morën vesh se prioritet i jashtëzakonshëm për Republikën e Maqedonisë është arritja e marrëveshjes për miratimin e Propozim-ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Zgjedhor me të cilin mbajtja e zgjedhjeve lokale do të parashihet në gjysmën e parë të muajit tetor, kurse mandati i kryetarëve të komunave dhe këshilltarëve të vazhdohet deri në zgjedhjen e anëtarëve të rinj të këshillave dhe kryetarëve të komunave”, thonë nga Kabineti i Kryetarit të Kuvendit.

Kryetari i kuvendit kërkon që partitë sa më shpejtë të formojnë grupe të deputetëve, që të hapët rruga për formimin e komisioneve punuese. Propozim-ligji për ndryshim dhe plotësim të Kodit Zgjedhor, duhet fillimisht të kalojë në komisionin Juridiko-Ligjvënës, që më pas të hyjë në votim. Nga VMRO DPMNE edhe sot ritheksuan qëndrimin e tyre, se nuk do të marrin pjesë në koordinimet të cilat i thirre Talat Xhaferi. Por thonë se janë në anën e qytetarëve, dhe do të bëjnë gjithçka që shkon në të mirën e tyre. Ata nuk qartësuan se a do të marrin pjesë në komisionet për hartimin e propozim-ligjit për ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Përgjigje konkrete nuk pati as për tetorin, si datë e mundshme për zgjedhjet lokale.

“Shumica parlamentare konsideroi se në interesin e tyre partiak është që ti prolongojë zgjedhjet deri në terminin e fundit që ne si parti e konsiderojmë si racional. VMRO DPMNE është e gatshme që të shkoj në zgjedhje në qershor, por edhe në tetor, sepse e dimë që qytetarët janë në anën tonë”, tha Dragan Danev nga VMRO-DPMNE.

VMRO DPMNE nuk erdhi në kuvend, por aty u pa kryetari i Kongresit Botëror Maqedonas, Todor Petrov. Ai tha se në kuvend ka ardhur në cilësinë e qytetarit, kurse nga postimi i tij në Facebook, kuptohet se qëllimi i ardhjes së tij në kuvend ishte dorëzimi i dy iniciativave. Ata kërkojnë që me procedurë të shpejtë të miratohen ndryshimet në Kodit Zgjedhor dhe të ligjit për Vetëqeverisje Lokale./21Media 

 

 

Back to top button