”Zgjoi” nikoqir i Festivalit të Filmit në Romë

Ambasada e Kosovës në Itali ka bërë të ditur se së bashku me Festivalin e Filmit në Romë më 18 tetor do të jetë nikoqir edhe filmi ”Zgjoi” me regji nga Blerta Basholli.
Përmes një postimi në ”Facebook”, Ambasada ka theksuar se ky film ka fituar tri nga çmimet më të rëndësishme të festivalit më të madh të pavarur të filmit, ”Sundance”, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe shumë çmime në Festivale të tjera të filmit.
”Regjisorja Blerta Basholli rrëfen se frymëzimi i saj për filmin ishte jeta e zonjës Fahrije Hoti, e cila portretizon një histori të zakonshme, mirëpo shumë të gjallë dhe të fortë. Ky film rrëfen historinë e Fahrijes e cila pas luftës ngeli e vetme me dy fëmijët, vajzën 3-vjeçare dhe djalin tre muajsh. Në përpjekjet për mbijetesë si nënë e vetme në Kosovën e pasluftës, ajo u bashkua me disa gra të tjera të fshatit që kishin mbetur të veja dhe krijuan kooperativën bujqësore “Krusha”, që merren me përpunimin e turshisë dhe ajvarit. Fahrija nuk heq dorë dhe vazhdon të luftojë jo vetëm për të mbajtur familjen e saj, mirëpo edhe për të luftuar paragjykimet kundër një komuniteti që është armiqësor ndaj saj”, thuhet në postimin e Ambasadës.
Ndërkaq, personazhet kryesore në këtë film janë; Yllka Gashi, Çun Lajçi, Aurita Agushi, Kumrije Hoxha, Adriana Matoshi, Molikë Maxhuni./21Media

Back to top button