‘Zgjoi’ sot fillon rrugëtimin në kinematë gjermane
Filmi me skenar e regji të Blerta Bashollit, “Zgjoi” sot fillon rrugëtimin e tij në kinematë gjermane. Aktorja kryesore e filmit, Yllka Gashi ka bërë të ditur se në disa nga shfaqjet e filmit, prezente do të jenë edhe Blerta Basholli dhe Fahrije Hoti.
Në rolin kryesor të filmit “Zgjoi” luan aktorja Yllka Gashi, e që filmi konsiderohet si filmi më i sukseshëm i kinematografisë shqiptare deri sot, fitues i trefishtë në “Sundance 2021” dhe fitues i shumë çmimeve të tjera ndërkombëtare, gjithashtu propozim i Kosovës për “Oscars 2022”.
“Zgjoi” sjell historinë e vërtetë të Fahrije Hotit nga Krusha e Madhe, e cila në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë, fillon një biznes bujqësor për të siguruar mbijetesën e familjes, në një ambient tradicionalisht patriarkal, ku ambicia për t’u zhvilluar nuk shihet me sy të mirë.
“Zgjoi” ka për producent Yll Ukën, Valon Bajgorën dhe Agon Ukën; drejtor fotografie Alex Bloom, montazher Enis Saraçi dhe Félix Sandri, dhe me bashkëproducentë, Britta Rindelaub-in, Kristijan Burovski-n, Tomi Salkovski-n, dhe Paskal Semini-n.
Në rolin kryesor luan Yllka Gashi, ndërsa në rolet tjera luajnë: Çun Lajçi, Kumrije Hoxha, Aurita Agushi, Kaona Sylejmani, Mal Noah Safçiu, Adriana Matoshi, Astrit Kabashi, Molikë Maxhuni, Blerta Ismaili, Valire Haxhijaj Zeneli, Armend Smajli, Ilir Prapashtica, Xhejlane Terbunja, Shkelqim Islami etj. “Zgjoi” është bashkëprodhim në mes të Kosovës, Zvicrës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut./21Media