“Zgjoi” triumfon në Festivalin e Pavarur të Filmit në Osnabrück të Gjermanisë

Pas lajmit se filmi “Zgjoi” ka triumfuar në Francë, bëhet e ditur se ky film triumfoi edhe në Festivalin e Pavarur të Filmit në Osnabrück të Gjermanisë.
Kjo u bë e ditur nga faqja zyrtare e filmit përmes një postimi të shpërndarë në Facebook.
Sipas regjisores Blerta Basholli, kështu po promovohet imazhi i Kosovës.
“Çdo çmim që po marrim, është konfirmim i punës së mrekullueshme që ka bërë ekipi. Të gjithë kemi punuar e kemi dhënë shumë për këtë projekt, që është më shumë se projekt për ne. Pa dyshim, që për filma të Kosovës do të dëgjohet akoma e më shumë. Na presin edhe shumë festivale e çmime të rëndësishme”, ka thënë ajo.
Filmi debutues i metrazhit të gjatë, i regjisores Basholli që tregon rrëfimin e Fahrije Hotit që me gjithë pengesat krijon një jetë të re për veten e saj dhe gratë e tjera, në Festivalin e Pavarur të Filmit në Osnabrück të Gjermanisë, mori “Çmimin e Paqes”.
Çmimin e pranoi producenti Agon Uka, i cili po qëndronte në Festivalin që është një nga më të vjetrit e më me traditë në Saksoninë e Ulët.
“Është vërtet mbresëlënës të shohësh sesi rrëfimi nga Kosova po arrin të krijojë lidhje me njerëzit, kudo që po shfaqet. Filmi tregon për fuqinë që kanë njerëzit brenda vetes për t’iu bërë ballë situatave të vështira qe mund të hasin. Është për triumfin dhe çdo triumf i ‘Zgjoit’ është triumf edhe i vendit”, ka thënë Uka.

Nga 28 tetori filmi do të shfaqet për publikun e gjerë në kinematë e Kosovës, Shqipërisë e Maqedonisë. Biletat tani janë në shitje.
Kujtojmë që, premiera e këtij filmi më 22 tetor është dhënë edhe në Prishtinë. Të pranishëm në atë ngjarje ishin Presidentja, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti si dhe personalitete të njohura nga fusha e kulturës.
”Zgjoi”, ka fituar tri çmime të rëndësishme në festivalin ”Sundance”, i njëjti është edhe propozim i Kosovës në ”Oscars 2022” dhe do të jetë pjesëmarrës edhe në Festivalin e Filmit në Romë./21Media
Back to top button