Nëna dhe 3 fëmijët dyshohen se u vetëmbytën në lumë, arrestohet burri

(Lajm i përditësuar)


E.A është arrestuar nga policia pas zhdukjes së gruas së tij bashkë me tre fëmijët.

Ai akuzohet për dhunë në familje dhe dyshohet se ka shkaktuar vetëvrasjen e vajzës së tij 9 vjeçare që u gjet në ujërat e lumit Buna nga një peshkatar ditën e djeshme.

Burime për Ora News bëjnë më dije se 31-vjeçari gjatë marrjes në pyetje nga policia e shtetit nuk ka qenë i ftohtë duke mbajtur qëndrime mohuese.

Pasi policia i ka treguar shenjat e dhunës të vajzës së madhe ai nuk ka dhënë asnjë reagim, duke i qëndruar versionit të tij.

Njoftimi i policisë:

Shkodër

Hetimet e thelluara zbardhin një rast të dhunës në familje, që shkaktoi vetëvrasje.

Vihet në pranga 31-vjecari, për dhunë ndaj bashkëshortes dhe 3 fëmijëve, si dhe për shkaktim të vetëvrasjes së vajzës së tij 9-vjeçare, si pasojë e dhunës.

9-vjeçarja ështe gjetur e pajetë, dyshohet e vetëmbytur në lumin Buna.

Polumbarët e RENEA-s vijojnë kërkimet pasi dyshohet se janë vetëmbytur dhe bashkëshortja dhe 2 fëmijët e tjerë të 31-vjeçarit.

Menjëherë pas kallëzimit të shtetasit E. A., 31 vjeç, të bërë më datë 03.05.2024, se më datë 02.05.2024, ishin larguar nga banesa, bashkëshortja e tij, shtetasja A. A., 39 vjeçe dhe 3 fëmijët e tyre të mitur (9, 8 dhe 3 vjeç), u ngrit një grup i posaçëm hetimor për të hetuar shkaqet e largimit nga banesa.

Bazuar në hetimet e kryera dhe inteligjenca policore, dyshohet se shkaku i largimit nga banesa ishte dhuna e ushtruar nga 31-vjeçari, ndaj bashkëshortes dhe fëmijëve, të cilët dyshohet se mund të kenë kryer vetëvrasje.

Më datë 04.05.2024, u bë ndalimi i shtetasit E. A., 31 vjeç (i dënuar më parë për kultivim të bimëve narkotike), për veprën penale “Shkaktimi i vetëvrasjes”.

Grupi hetimor ka vijuar hetimet dhe shërbimet e Policisë kanë vijuar kontrollet për gjetjen e 39-vjeçares dhe 3 fëmijëve.

Gjatë kontrolleve, rreth orës 22:00 të datës 04.05.2024, në ujërat e lumit Buna, në fshatin Darragjat, u gjet trupi i pajetë i vajzës 9-vjeçare të shtetasve E. A. dhe A. A., e cila dyshohet se është vetëmbytur si pasojë e dhunës nga babai i saj.

Policia e Shkodrës, në drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, vijon intensivisht punën për gjetjen e 3 shtetasve të tjerë të larguar nga banesa, si dhe për zbardhjen dhe dokumentimin e rrethanave të këtij rasti.


Zhduket nëna me tre fëmijët, njëri prej fëmijëve gjendet i pajetë në lumë

Një ngjarje e rëndë raportohet të ketë ndodhur në Shkodër.

Një grua bashkë me tre fëmijet e saj të mitur, rezultojnë të zhdukur që disa ditë.

Sipas raportimit të mediave shqiptare, njëri nga fëmijet, i moshës tetëvjeçare, është gjetur nga një peshkatar në ujërat e Lumit Buna.

Ndërkohë dy fëmijët e tjerë dhe nëna shtetasja A.A ende janë të zhdukur.

Kërkimet po vazhdojnë nga zhytësit e forcave Renea.

Nga policia është ndaluar bashkëshorti, E. A i cili kishte deklaruar se kishte humbur kontaktet me familjen e tij.

Tutje, thuhet se fëmija që u gjet nga peshkatari në mënyrë rastësore një ditë më parë dyshohet se ka shenjë dëmtimi në pjesën e fytyrës.

Raportohet se fëmijët e mitur janë dy vajza dhe një djalë të moshës tetë, gjashtë dhe katër vjeç.

Janë ende të paqarta arsyet e kësaj ngjarje ndërsa policia dhe prokuroria kanë nisur hetimet duke marrë në pyetje familjarë të shtetases A.A, dhe bashkëshortit të saj të ndaluar nga policia nëse kanë dijeni për ngjarjen.

Back to top button