Zhdukja e 11 vjeçares në qershor, Policia arreston 6 persona të dyshuar

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar ka arrestuar gjashtë persona si të dyshuar për veprat penale “Trafikim me njerëz”, “Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit”, “Dhunimi”. Siç bëhet e ditur në komunikatë, dyshohet se gjashtë të arrestuarit janë të përfshirë në zhdukjen e të miturës 11 vjeç në qershor.
“Prokuroria Themelore në koordinim me Policinë e Kosovës, konkretisht Sektorin Qendror të Hetimeve-Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore, në vazhdën e hetimeve, pas sigurimit të ekzaminimeve dhe analizimit të provave, si dhe, intervistimit të dëshmitarëve, më 02.09.2022, fillimisht ka arrestuar gjashtë (6) persona të dyshuar, të cilët me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë dërguar në mbajtje në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe për të njëjtit do të ndërmerren veprimet e mëtejme procedurale ligjore”, thuhet në njoftim.
Sipas Prokurorisë, gjashtë personat e kapur nga Policia dyshohet se janë përfshirë në veprimtari penale, si të lartcekurat.
“Në bazë të provave dhe dëshmive të siguruara deri më tani nga hetimet e zhvilluara, dyshohet se janë të përfshirë në rastin e qershorit, ku e mitura ishte raportuar si person i zhdukur. Sigurojmë opinionin publik se për të dy çështjet penale ku e përfshirë është viktima e mitur, prokuroria në koordinim me institucionet e tjera relevante ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me profesionalizëm e përgjegjësi dhe po vazhdon me ndërmarrjen e veprimeve hetimore tutje”, vazhdon njoftimi i Prokurorisë.
Në komunikatë bëhet e ditur se në cilësi të provave materiale janë konfiskuar shtatë telefona mobil që do të shërbejnë në procedurë penale./21Media

Back to top button