Zhvillimet e fundit në Ukrainë

Shefi i policisë në rajonin e Kievit tha se policia ukrainase ka gjetur trupat e 900 civilëve përreth kryeqytetit, më shumë se një javë pasi trupat ruse janë tërhequr nga zona. Numri më i madh i trupave, rreth 350, raportohet se janë gjetur në qytetin e Bucha-s.
Rusia tha se goditi një fabrikë ukrainase që prodhonte raketa anti-ajrore dhe anti-anije jashtë Kievit, disa orë pasi pranoi se luftanija ruse Moskva ishte fundosur pas një shpërthimi të enjten.
Zyrtarët amerikanë, duke folur në mënyrë anonime, thanë se SHBA-ja beson se ‘Moskva’ është goditur nga dy raketa ukrainase Neptun dhe ka pasur viktima ruse kur anija është fundosur.
Zyrtarët ukrainas pretendojnë se disa civilë u vranë dhe u plagosën të enjten ndërsa përpiqeshin të largoheshin nga lindja e vendit pasi forcat ruse hapën zjarr mbi autobusët e evakuimit.
Në qytetin e shkatërruar të Mariupolit, pjesa më e madhe e të cilit është e pushtuar nga forcat ruse, zyrtarët ukrainas kanë akuzuar pushtuesit për zhvarrosjen e trupave për të fshehur provat e krimeve, shkruan BBC, përcjell rtv21.tv
OKB tha se më shumë se pesë milionë ukrainas janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre gjatë konfliktit./21Media

Back to top button