Zjarr në një ndërtesë në New Delhi, 27 të vdekur

Policia ka arrestuar dy persona në lidhje me një zjarr masiv në një ndërtesë katërkatëshe në kryeqytetin Indian, New Delhi që la të paktën 27 të vdekur, thanë zyrtarët e policisë dhe zjarrfikësve.
Dymbëdhjetë të tjerë u plagosën nga zjarri që përfshiu ndërtesën në zonën Mundka në periferinë perëndimore të qytetit të premten në mbrëmje, u tha gazetarëve të shtunën shefi i Shërbimeve të Zjarrfikësve në Delhi, Atul Garg.
Ndërtesa nuk kishte leje sigurie nga departamenti i zjarrit dhe as nuk ishte e pajisur me pajisje të sigurisë nga zjarri, tha Garg, duke shtuar se zjarri filloi në katin e parë, ku ndodhet një kompani që prodhon kamera sigurie.
Dy vëllezër, pronarë të firmës, u arrestuan nga policia, sipas kryeministrit të Delhi, Arvind Kejriwal, i cili vizitoi vendin të shtunën. Pronari i pallatit është arratisur.
Më shumë se 75 persona ishin në ndërtesë kur zjarri shpërtheu të premten në mbrëmje. Disa u hodhën nga dritaret për të shpëtuar veten, sipas dëshmitarëve, dhe zjarrfikësit thyen xhamin dhe shpëtuan njerëzit me litarë./21Media

Back to top button