Zjarret, nga sot ndalohet lëvizja në pyje

Qeveria e Maqedonisë së Veriut pas mesnate njoftoi se prej sot, 3 gusht 2021, ndalohet lëvizja e qytetarëve në pyje.
Siç sqarojnë nga Qeveria, kjo ndalesë ka për qëllim që të mbrojë qytetarët dhe të zvogëlojnë mundësinë e shpërndarjes më të madhe të zjarreve aktive në vend.
Zjarri në Koçan është lokalizuar, megjithatë pritet angazhimi i helikopterëve. Deri në këto momente nuk ka ndonjë njoftim zyrtar.
Kryeministri Zoran Zaev bashkë me një pjesë të ministrave, mbrëmë ishte në terren. Siguroi se janë angazhuar të gjitha institucionet dhe se në ndihmë me helikopterë do të dalin edhe Bullgaria dhe Serbia.
Pas mesnate, ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski ka njoftuar se edhe zjarri në Rankovc është lokalizuar.
Apelohet për kujdes nga ana e qytetarëve.
Ndërkohë, nuk ka qytetarë të lënduar. Vetëm 10 banorë të Koçanit, ku gjendja me zjarret është më alarmante, kanë kërkuar ndihmë mjekësore pasi kanë thithur tym.
Siç njoftoi Zaev, vetëm gjatë ditës së djeshme kanë shpërthyer 13 zjarre. Shkaqet ende nuk dihen
Është angazhuar edhe Armata dhe Policia./TV21

Back to top button