Zjarri në spitalin Covid eskaloi pasi shpërtheu bombola e oksigjenit!
Zjarri në spitalin Covid në Tetovë mbrëmë mori fuqi pas shpërthimit të bombolës së oksigjenit që shërben për mjekim të pacientëve me Covid-19.
Kjo, siç njoftoi komandanti Uka Aliti, zjarri ndodhi pak para se të arrijnë ekipet zjarrfikëse.
“Para se të arrijmë ne ka pasur një shpërthim. Vetëm një shpërthim është dëgjuar. Nga ai shpërthim i bombolës me oksigjen… Meqë oksigjeni nuk digjet, mirëpo nga ai shpërthim i bombolës, meqë oksigjeni i ndihmon zjarrit dhe ai zmadhohet”, tha Aliti, transmeton TV21.
Ai tha se zjarri u fut nën kontroll brenda 27 minutave dhe arritën ta lokalizojmë në tërësi.
Ndryshe, nga Ministria e Shëndetësisë, nëpërmjet një kumtese lëshuar mediave theksuan se nga zjarri i shpërthyer në Covid-Qendrën në Tetovë, jetën e kanë humbur 14 pacientë.
“Ministria e Shëndetësisë, informon se në zjarrin që shpërtheu në Covid-Qendrën në Tetovë kanë humbur jetën 14 persona. Në Covid-Qendrën në kohën kur ka shpërthyer zjarri ka pasur 26 pacientë, 12 pacientët e tjerë po trajtohen në Spitalin e Tetovës dhe janë jashtë rrezikut për jetë. Nuk ka viktima nga personeli mjekësor, disa me lëndime të lehta”, thanë nga Ministria e Shëndetësisë”, transmeton TV21./21Media