ZRrE: Aktgjkykimi për kompensim për faturat e veriut, kompleks

Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike i tha RTV21 se ende nuk ka vendosur për mënyrën e kompensimit të qytetarëve edhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për kompensim të mbi 40 milionë eurove për faturat e veriut. Në anën tjetër ish-avokati i popullit Hilmi Jashari tha se kompensimi duhet të bëhet përmes faturave për vitet e ardhshme që është kundërshtuar nga Këshilli për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, që ka kërkuar kompensim me para të gatshme. Gjatë ditës, Zyra e Rregullatorit bëri të ditur se në muajin Prill do të ketë tarifa të reja për energjinë e shpenzuar.

Vendimin e Gjykatës Kushtetuese për kompensimin e qytetarëve me mbi 40 milionë euro për faturimin e paligjshëm të qytetarëve për pagesën e energjisë elektrike në Veri, Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike e ka cilësuar komplekse. Ajo tha se ende po e analizon aktgjykimin dhe opsionet e mundshme ligjore por nuk e qartësoi mënyrën e kompensimit të qytetarëve

“Pavarësisht që ky aktgjykim është mjaft kompleks, ZRRE-ja do ti kryej detyrat e saj konform mandatit ligjor dhe për të gjitha veprimet që do të ndërmerren, opinioni publik do të njoftohet me kohë. Por, ish-avokati i Popullit Hilmi Jashari, që e nisi gjithë procesin në Gjykatën Kushtetuese, thotë se procesi nuk është kompleks dhe sipas tij kompensimi duhet të bëhet përmes zbritjes së çmimit në fatura për vitet e ardhshme”

“KEDS-i duhet t’i kompensoi qytetarët sepse ata i kanë bërë faturimet edhe pse e ka rregulluar ZRRE-ja KEDS-i ka përfituar ndërsa kompensimi dueht të bëhet në fatura sepse është me e lehtë dhe më e thjeshtë për qytetarët sepse disa nuk kanë mundësi të angazhojnë avokat disa nuk i kuptojnë procedurat”, tha për rtv21 Hilmi Jashari, ish-avokat i popullit.

Por kompensimin përmes zbritjes së çmimit të faturave e ka kundërshtuar kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Behgjet Shala. Sipas tij kompensimi duhet të bëhet në para të gatshme pasi që faturat dhe gjobat u paguan me para të gatshme. Shala ngre dyshime se tarifat e reja ndërlidhen me kompensimin i cili pritet të bëhet për qytetarët.

“ZRRE është organizatë e përbashkët kriminale dhe nuk i kuptoj se si po heshtin të gjithë po të ishte VV-ja në opozitë përveç qytetit flakëe kish kallë edhe zyret e ZRRE-së pra është standard i dyfisht”, tha Shala.

Tarifat e reja u përmendën saktësisht nga Zyra e Rregullatorit i cili paralajmëroi se në muajin prill ato do të hyjn në fuqi.

“Sa i përket pritshmërisë se sa do te jenë te hyrat e lejuara maksimale, deri në këtë fazë ZRRE ka vetëm vlerësimet fillestare të cilat janë të publikuara, ndërsa vlerësimet përfundimtare për të Hyrat e Lejuara Maksimale janë në proces të shqyrtimit dhe pas këtij vlerësimi Raportet përfundimtare do të publikohen”, tha ZRrE për rtv21.

Njohës të fushës së energjisë kanë vlerësuar se kompensimin e mbi 40 milionë eurove do duhej ta bënin ata që e kanë shpenzuar në të kundërtën këtë kompensim do ta paguajnë vet qytetarët përmes taksave të tyre./21Media

Back to top button