​Zvarritet emërimi i guvernatorit të BQK-së, nga 29 marsi pritet të ketë ushtrues detyre

Kanë mbetur më pak se dhjetë ditë deri në skadimin e mandatit të guvernatorit aktual, Fehmi Mehmeti dhe ende nuk dihet se kush dhe kur do të emërohet guvernatori ri i Bankës Qendrore të Kosovës.

Procesi i përzgjedhjes së guvernatorit ka ngecur në Komisionin parlamentar për Buxhet, Punë dhe Transfere.

Për zvarritjen e përzgjedhjes së guvernatorit, nënkryetari i këtij komisioni, Mërgim Lushtaku ka kritikuar mazhorancën dhe ka kërkuar përshpejtim të procedurës së përzgjedhjes.

Deputeti nga radhët e PDK-së, Lushtaku dyshon se kjo vonesë mund të jetë e qëllimshme, pasi sipas tij në këtë proces ka edhe ndikim partia në pushtet.

Në anën tjetër, kryetari i Komisionit për Buxhet nga radhët e Vetëvendosjes, Armend Muja nuk është prononcuar për kp lidhur me këtë temë.

Kurse, Lushtaku është shprehur skeptik nëse përzgjedhja e guvernatorit do të bëhet për një afat të shkurtë kohor dhe nëse personi i përzgjedhur do t’i përmbushë kriteret ligjore.

Ai thotë se në bazë të procedurave ligjore e vetmja zgjedhje do të jetë emërimi i një ushtruesi të detyrës së guvernatorit.

Mes tjerash, ai kërkon nga kryetari i Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, Armend Muja, t’i ftojë anëtarët në komision dhe të fillojnë me shqyrtimin e procedurave, pasi që mandati i guvernatorit aktual përfundon më 29 mars.

“Tashmë e dimë që me 29 do t’i skadojë edhe mandati guvernatorit dhe sigurisht në këtë pjesë është një papërgjegjësi e madhe dhe institucionale në këtë drejtim, sepse e dimë çfarë krizash ekonomike po ballafaqohet jo vetëm Kosova, por e gjithë bota, dhe është shumë e rëndësishme që të kemi një stabilitet edhe financiar dhe bankar që duhet të garantojë edhe BQK në këtë drejtim. Dhe sigurisht se kritikat, shqetësimet janë që edhe mazhoranca në këtë drejtim e ka lejuar që të vijë në një lloj destabilititeti edhe financiar me rastin e neglizhimit, degradimit dhe shkeljeve të mëdha ligjore deri te ato të konfliktit të interesit… 8:17 Ne duhet të mbajmë sa më shpejtë mbledhjen e komisionit dhe kjo është përgjegjësi edhe e kryetarit të komisionit për buxhet, punë dhe transfere. Në këtë drejtim nuk kemi asnjë ftesë si anëtar të komisionit”, theksoi Lushtaku.

Deputeti Lushtaku thotë po ashtu se e vetmja zgjidhje pas datës 29 mars është që BQK të ketë një ushtrues detyre. E që sipas tij, kjo është e qëllimshme nga ana e anëtarëve të BQK-së dhe mazhorancës.

“Në bazë të procedurave ligjore shohim se e vetmja zgjedhje do të jetë edhe vet mundësia që të ketë një ushtrues detyre të guvernatorit. Dhe me sa duket ky është edhe qëllimi i vet anëtarëve të BQK-së, ndoshta edhe mazhorancës, sepse e dimë shumë mirë që Nurboja ka qenë edhe kandidat për deputet në VV dhe si i tillë realisht është ndikuar drejtpërdrejt edhe nga mazhoranca. Për herë të parë drejtpërdrejt anëtarët e bordit të BQK-së janë të lidhur ngushtë me pushtetin dhe kjo është një pasiguri tjetër edhe juridike, financiare, por edhe për vet BQK-në si institucion dhe si kushtetues..10:04 Në këtë drejtim bëjë thirrje gjithë mazhorancës që të mos luajnë me fatin e Kosovës sepse e dimë se njëri ndër institucionet më të rëndësishme është BQK. Por, derisa ne po shohim çdo ditë e më shumë po degradohen çdo institucion publik, nuk pres as nga mazhoranca, as nga anëtarët e zgjedhur nga mazhoranca në krye të BQK-së që të merren seriozisht me paralajmërimet tona dhe të ekspertëve të ekonomisë”, tha mes tjerash Lushtaku.

Duke folur për përzgjedhjen e guvernatorit, deputeti nga PDK, Mërgim Lushtaku tha se edhe vet lista e kandidatëve lë për të dëshiruar.

“Edhe vet lista lë shumë për të dëshiruar. Kemi pritur shumë që një listë që e kanë prezantuar do të jetë me njerëz me kuadrat dhe cilësi të dëshmuar në institucionet publike dhe ndërkombëtare. Fatkeqësisht në këtë drejtim nuk kemi pasur një listë e cila garanton sigurinë financiare të bankave në Kosovë dhe të sigurimeve në përgjithësi, sigurisht edhe vet çështjeve makriofinanciare në Kosovë”, shtoi Lushtaku.

Sipas Lushtakut, ka padrejtësi në përzgjedhjen e kandidatëve për guvernator.

“Neve tashmë na kanë dërguar nga anëtarët e BQK-së në komision disa arsyetime, por do të presim shumë shpejtë të ballafaqohemi me argumente dhe kundër argumente në këtë drejtim. Dhe një ndër shqetësimet e mija apo edhe në çështjet që kam ngritur është edhe çështja e opinionit ligjor që ne duhet të marrim nga Kuvendi i Kosovës se a po shkelet e drejta e njeriut në këtë rast nëse kemi pikë të barabarta dhe i jepet përparësi njërës nga gjinitë, pavarësisht se kemi diskriminim pozitiv, në këtë rast besoj që derisa nuk ka kushtëzim që lista të jetë, 3, 4,apo 5 apo më gjerë nuk është e nevojshme që të eksperimentojmë dhe të mos i japim hapësirë edhe kandidatëve tjerë që i plotësojnë kushtet”, tha Lushtaku.

Fehmi Mehmeti ushtron funksionin e guvernatorit të BQK-së nga data 29 mars 2018, ndërsa ky mandat skadon më 29 mars 2023.

Ndërsa, në fund të muajit të kaluar, Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, ka shqyrtuar listën e kandidatëve për pozitën e Guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK). Me këtë rast, katër kandidatë sipas Bordit janë në garë për t’u zgjedhur në krye të BQK-së.

Kandidatë për këtë pozitë janë; Ahmet Ismaili, Nexhat Kryeziu, Lulzim Ismajli dhe Shkëndije Himaj.

Ndërkaq, në listën që është dërguar nga Paneli i BQK-së, deputetët e partive opozitare kanë pasur kritika sa i përket mënyrës sesi ka shkuar procesi i përzgjedhjes së Guvernatorit.

Back to top button