Zyra e BE-së në Kosovë reagon pas shkarkimit të Dakës
Zyra e BE-së në Kosovë ka reaguar pas vendimit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani për shkarkimin nga pozita, Valdete Dakën.
Në një shkrim në Twitter, shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka komentuar këtë vendim, duke thënë se është e rëndësishme që të gjitha procedurat të jenë në linjë me ligjet e Kosovës.
“Jemi njoftuar për vendimin e presidentes Osmani për të shkarkuar shefin e KQZ-së, e për të caktuar një të ri. Është e rëndësishme që të gjitha procedurat të jenë në linjë me ligjet e Kosovës dhe që pavarësia e KQZ-së të ruhet duke siguruar përgatitje profesionale në kohë për zgjedhjet lokale dhe për reformat në ligjin për zgjedhje”, ka shkruar Szunyog në Twitter.
Took note of @VjosaOsmaniPRKS decision to dismiss @KQZKosova chair & appoint a new one. Important that all procedures are in line w/ Kosovo law & that CEC independence is safeguarded 2 ensure professional & timely preparation of municipal elections & electoral legislation reform.
— Ambassador Tomáš Szunyog (@EUAmbKS) June 15, 2021
Më 14 qershor, e para e vendit, Vjosa Osmani e shkarkoi Dakën nga pozita e kryetarës së KQZ-së. Shkarkimi i saj nuk u mirëprit nga shoqëria civile, e cila e akuzoi presidenten se vendimi ka qenë politik.
Pas shkarkimit të Dakës, kryesues i Komisionit Qendror Zgjedhor në Kosovë është emëruar Kreshnik Radoniqi./21Media