Kosova më 14 shkurt në zgjedhje të jashtëzakonshme

 

Ushtruesja e detyrës së Presidentit, Vjosa Osmani ka shpërndarë Legjislaturën e shtatë të Kuvendit të Kosovës dhe i caktoi zgjedhjet parlamentare të parakohshme më 14 shkurt.

“Duke u bazuar në përgjegjësitë kushtetuese dhe Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese Nr. KO-95/20, si dhe pas diskutimit me partitë parlamentare dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, u.d. Presidentja, Vjosa Osmani, ka marrë vendim të shpallë zgjedhjet dhe të caktojë 14 shkurtin 2021 datë për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare të parakohshme”, thuhet në komunikatën e dërguar për media.

Më këtë vendim KQZ-ja është udhëzuar t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës. U.d. e Presidentit po ashtu ka nxjerrë dekret për shpërndarjen e Legjislaturës së shtatë të Kuvendit të Republikës së Kosovës./21Media

Back to top button