Zyrtarët e BE-së “shumë të kujdesshëm” për çështjet e sigurisë gjatë takimeve me zyrtarë të Serbisë

Raportet e ngushta të Serbisë me Rusinë, përfshirë edhe ato në fushën e shërbimeve të zbulimit, kanë ndikim në kontaktet e zyrtarëve të Bashkimit Evropian me zyrtarë të Serbisë dhe në këto kontakte, BE-ja është “shumë e kujdesshme”.

Kështu kanë thënë për Radion Evropa e Lirë burimet evropiane, duke përsëritur se “kur është fjala për interesat strategjike të BE-së në fushën e sigurisë, mbrojtjes dhe ruajtjes së konfidencialitetit, Serbia ka shumë pak besim në sytë e partnerëve evropianë”.

“Ne e dimë shumë mirë se me kë kemi punë kur kemi kontakte dhe takime me këdo nga Serbia. Të gjitha institucionet dhe të gjitha vendet anëtare janë të vetëdijshëm për lidhjet që autoritetet zyrtare kanë me Moskën në fusha të ndryshme, prandaj e trajtojmë Serbinë në mënyrë përkatëse”, ka thënë një burim evropian duke shtuar se, “u kushtohet kujdes këtyre kontakteve dhe natyrisht me ta nuk ndahen informatat e ndjeshme që mund të jenë me interes për Rusinë apo Kinën”.

“Me fjalë të tjera, kur është fjala për konfidencialitetin, sigurinë, mbrojtjen, shërbimet e zbulimit dhe interesat strategjike të BE-së, Serbia ka shumë pak kredibilitet në sytë e partnerëve evropianë”, kanë thënë këto burime.

Ndërkohë, mediat në Bruksel dhe në rajon kanë shkruar për rastet që Rusia përdor edhe shtetasit e Serbisë për t’u infiltruar në institucionet e Bashkimit Evropian. Është përmendur rasti i një aktivisti nga Serbia, i cili dyshohet se është bashkëpunëtor i shërbimit të zbulimit të Rusisë, e i cili ka pasur takime në Bruksel edhe me disa deputetë të Parlamentit Evropian.

Për këtë ka shkruar portali Politico, duke përmendur emrin e sindikalistit ushtarak nga Serbia, Novica Antiq./rel

Back to top button