​Haradinaj: Askush nuk do të marrë tokë të Kosovës

Haradinaj  ka thënë se liria që gëzojnë sot shqiptarët, është meritë e shumë brezave që sot nuk jetojnë më

17 janari i sotëm përmbylli vitin e Skënderbeut, duke shënuar njëherësh edhe 37 vjetorin e vdekjes së Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës e Bardhosh Gërvallës.

Katër heronjtë shqiptarë u përkujtuan sonte në ceremoninë përmbyllëse të vitit të Skënderbeut, ku mori pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili tha se toka shqiptare u mbrojt nga shumë breza, e njëherësh deklaroi që kjo tokë nuk do të merret nga të tjerët.

“Nuk do të marrë më askush tokë të Kosovës, të vendit tonë, ka ardhur koha që toka jonë, trungu jonë arbëror të respektohet edhe nga të tjerët”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj po ashtu ka thënë se liria që gëzojnë sot shqiptarët, është meritë e shumë brezave që sot nuk jetojnë më. “Lirinë që e kemi sot, i ka rrënjët e thella, me mijëra e qindra vjet. Kjo qeveri dhe ky popull e kanë shumë zor me iu dalë hakut të gjithë atyre heronjve e atyre brezave”, ka thënë Haradinaj.

Me këtë rast, drejtori i Postës, Sejdi Hoxha i dhuroi Haradinajt pullën postare kushtuar 140 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit.

Në këtë ceremoni përmbyllëse u shfaq edhe një dokumentar përmbledhës i aktiviteteve që karakterizuan vitin e Skënderbeut, konkretisht vitin 2018 që shënoi 550 vjetorin e Gjergj Kastriotit.

Back to top button